Komisionet parlamentare të mbyllura për mediat, kërkohet transmetimi direkt i tyre

Komisionet parlamentare të mbyllura për mediat, kërkohet transmetimi direkt i tyre

Për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, mbledhjet e komisioneve parlamentare në Kuvendin e Kosovës janë zhvilluar pa praninë e mediave. Kjo është bërë me qëllim që të mbahet distanca fizike në mes të njerëzve duke mos rrezikuar përhapjen e virusit. Por, për dallim prej seancave plenare të cilat transmetohen të plota nga Kuvendi, njësoj nuk ka ndodhur me komisionet parlamentare. Për këtë, shoqëria civile po kërkon transparencë për mediat dhe publikun gjatë mbajtjes së mbledhjeve të tilla. Ndërkohë, Kuvendi ka deklaruar se nga mbledhja e radhës do të dërgohet xhirimi i të gjitha mbledhjeve që do të mbahen.

Për shkak të përhapjes së koronavirusit, institucionet e vendit kanë reduktuar dukshëm aktivitetet.

Megjithatë, disa mbledhje të legjislativit janë mbajtur në formë virtuale e disa edhe brenda sallave të takimeve, por pa praninë e mediave.

Por, shoqëria civile po vlerëson se ka nevojë për transparencë për mediat dhe publikun gjatë mbajtjes së mbledhjeve.

Albert Krasniqi nga Demokraci Plus po kërkon nga Kuvendi i Kosovës që t’i mundësojë transmetuesit publik regjistrimin dhe shpërndarjen pastaj në mediumet e tjera, të mbledhjeve të komisioneve, në mënyrë që publiku të marrë informacionet e nevojshme nga ata që vet i kanë zgjedhur.

“Duhet kritikuar komisionet që kanë mbajtur mbledhjet e mbyllura pa praninë e mediave dhe pa u siguruar që këto mbledhje do të transmetohen për publikun, kështu u është pamundësuar qytetarëve që të kenë informatat e plota lidhur me aktivitetet e Kuvendit, me diskutimet që janë bërë aty dhe të mbajë llogaridhënës deputetët, të zgjedhurit e tyre për punën të cilën ata e kanë bërë”, thotë ai.

Albert Krasniqi nga D+ thotë për KosovaPress se një tjetër mundësi për këtë është që Kuvendit të bëjë transmetimin e drejtpërdrejt të mbledhjeve të komisioneve në faqen zyrtare në internet, ashtu siç vepron me seancat plenare.


“Pandemia nuk duhet të jetë arsye për Kuvendin që të mbajë mbledhjet e saj jashtë pranisë së mediave dhe publikut, ata mund të gjejnë forma të tjera alternative, do të mund që një prej mediumeve të autorizohet të regjistrojë këto mbledhje dhe pastaj të shpërndajë për mediumet e tjera. Apo edhe vet Kuvendit të transmetojë këto mbledhje në rrjetet e saj në mediat sociale, në internet siç bën me seancat plenare, në mënyrë që publiku në kohë reale t’i shoh diskutimet por që edhe mediat të mund t’i marrin këto pamje dhe t’i përdorin për skoriet e tyre”, thotë Krasniqi.

D+ inkurajon mbajtjen e mbledhjeve virtuale por thotë se edhe ato video duhet të publikohen.

E Kuvendi i Kosovës në një përgjigje për redaksinë ka bërë të ditur se nga mbledhja e radhës mediave do t’u dërgohet mbledhja e plotë e xhiruar.

Gjatë ditës së sotme Kuvendi i Kosovës ka njoftuar për tre mbledhje, atë të komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, komisionit për legjislacion, mandate, imunitete, rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit dhe komisionin për shëndetësi dhe mirëqenie sociale.

 

 

Lexo edhe

Video

error: