KOMF: Trajtimi i rasteve ndaj abuzimit të fëmijëve po dështon

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka shprehur shqetësimet e tyre lidhur me rastet ku fëmijët janë viktima të formave të abuzimit dhe të dhunës seksuale e si rast kanë veçuar një fëmijë nga Fushë Kosova, i cili ka humbur jetën vitin e kaluar si shkak të dhunës seksuale të vazhdueshme dhe lirimit me procedurë të rregullt të të dyshuarit.

Ndërkohë, si formë e dështimit të institucioneve për marrjen e masave, kanë dërguar një kërkesë për veprim drejt institucioneve shtetërore në Kosovë.

Donjeta Kelmendi nga koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve-KOMF, tha se janë të shokuar se si rasti për vrasjen e këtij fëmije nuk ka ndikuar në ngritje të vetëdijes, e madje nuk ka as llogaridhënie e përgjegjësi nga organet e drejtësisë.

KOMF përmes një kërkese për veprim i ka drejtuar letër ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit, kryesuesit të Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, kryetarit të Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti lidhur më marrjen e masave ndaj rasteve të dhunës fizike dhe seksuale.

Kelmendi nga KOMF, tha se kërkojnë nga shteti që të kërkojnë përgjegjësi penale nga të gjitha palët e sistemit mbrojtës që dështuan të ushtrojnë obligimin ligjor të mbrojtjes së fëmijës nga Fushë Kosova duke shqiptuar dënimet e merituara dhe kërkojnë ta rifillojnë hetimin e rastit të fëmijës nga Fushë Kosova dhe shqiptimin e dënimeve për të gjithë personat përgjegjës gjatë shqyrtimit të këtij rasti.


Kelmendi tha se pas dërgimit të kësaj kërkese kanë marrë përgjigje nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe nga Këshilli Prokurorial.

Klevis Vaqari nga KOMF, tha ky është koalicion i përbërë nga 29 organizata që veprojnë në fushë të të drejtave të mbrojtjes së fëmijëve dhe se vazhdimisht kanë të dhëna nga organizatat nga puna e terrenit, monitorojnë situatën dhe se po hasin dështim të institucioneve ndaj trajtimit të këtyre rasteve dhe presin nga institucionet implementim të legjislacionit dhe jo më raste të rënda të viktimave të fëmijëve deri në vrasje, prandaj KOMF u shpreh se janë në pritje të marrjes së masave ndaj këtyre rasteve, kurse iu ofrojnë përkrahje të gjithë fëmijëve që janë viktima të abuzimit fizik apo seksual.

 

 

Lexo edhe

Video