Komandanti i KFOR-it takon Kurtin: Dialogu, platforma e vetme për të zgjidhur çështjet
Lajme
Lexohet për: 2 min.
24.10.2024 - ZKM (3)
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është platforma e vetme për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë, tha komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani gjatë një takimi me kryeministrin Albin Kurti.

Në një proces të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Kosova dhe Serbia janë në dialog prej vitit 2011.

Barduani tha se dialogu i Brukselit është gjithashtu platforma e vetme për arritjen e zgjidhjeve “që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, bëri të ditur KFOR-i përmes një komunikate.

Sipas tij, kjo është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë, si dhe për stabilitet rajonal.

“Gjeneralmajor Barduani vuri në dukje gjithashtu angazhimin e tij të palëkundur për të nxitur unitetin e përpjekjeve me të gjithë homologët e tij, në mënyrë që të sigurohet koordinimi dhe të zvogëlohet mundësia për veprime që mund të çojnë në tensione”, u bë e ditur në njoftim.

Për takimin në mes të Kurtit dhe komandantit të KFOR-it, ka njoftuar edhe kryeministria.

“Biseduan rreth rëndësisë së komunikimit të rregullt dhe bashkërendimit në shërbim të sigurisë dhe paqes në vend, dhe bashkëpunimit dhe aktiviteteve të përbashkëta të KFOR-it dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës”, tha Zyra për Komunikim Publik përmes një komunikate.

Veriu i Kosovës ka qenë në tensione sidomos vitin e kaluar kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Tensionet u rriten pasi në katër komunat veriore të vendit, të banuara me shumicë serbe, u zgjodhën kryetarët shqiptarë.

Kjo u përcjell me protesta nga serbët prej të cilave mbetën të lënduar edhe dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024