KOK-u prezanton ekipin e Lojërave Mesdhetare, sportistët inkurajohen nga kryeministri Albin Kurti

Komiteti Olimpik i Kosovës ka prezantuar të hënën ekipin që do të përfaqësojë vendin në Lojërat e 19-ta Mesdhetare Oran 2022, të cilat prej 25 qershor – 6 korrik 2022, mbahen në Oran të Algjerisë.

Ekipi i Kosovës përbëhet prej 39 sportistëve, 16 trajnerëve dhe tre gjyqtarëve të cilët kanë bërë përgatitjet maksimale që nga kjo garë të kthehen me një numër sa më të madh të medaljeve.

Preisdneti i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi tha se pret suksese nga sportistët dhe në këtë mënyrë ta bëjnë Algjërinë që ta njoh shtetin e Kosovës, gjë të cilën nuk e ka bërë ende, ashtu sikur edhe Spanja.

“Kosova do të përfaqësohet për herë të dytë në Lojërat Mesdhetare pas debutimit katër vite më parë në Taragona të Spanjës, ku sportistët tanë lanë gjurmë duke fituar katër medalje, tri të arta dhe një të argjendtë dhe të gjitha nga sporti ynë më i suksesshme, xhudo. Ashtu si Spanja që nuk e njeh pavarësinë e shtetit tonë,, njëjtë është edhe Algjeria tek e cila do të udhëtojmë me 39 sportistë të prirë nga kampionja olimpike Distria Krasniqi e cila bashkë me të tjerë besojmë shumë se do ta bëjnë Algjerinë ta njohin vendin tonë, duke e respektuar jo njëherë por shumë herë simbolet tona gjatë ceremonisë së medaljeve.”, tha Krasniqi.

I pranishëm në ceremoninë e prezantimit të ekipit ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Ai para tyre tha se përmes performancës së sportistëve ndaj rivalëve të tyre shihet një garë e Kosovës ndaj vende të tjera që përfaqësohen në këto gara. Ai shtoi se pret edhe suksese nga sportet tjera, përveç nga xhudoja.


“Të dashur sportistë dhe trajner, përkushtimi juaj në punë dhe rezultat është mbresëlënës për të gjithë ne por gjithashtu edhe përulës për ne ndaj jush. Rezultatet të cilat po i arrijmë në sportet e ndryshme, xhudo, boks, karate, atletike, EA Sports e të tjera nuk janë të rastësishme por janë produkt i punës suaj të palodhshme e të pa ndalshme…Përfaqësimi i shtetit në garat sportive ndërkombëtare përveçse që reflekton sakrificën tuaj për fitore, mbi të gjitha reflekton dashurinë tuaj për Kosovën. E them kështu për shkak se përmes performancës tuaj ndaj rivalëve në fushë, në fund të fundit është garë ndërmjet Kosovës dhe cilit do shtet tjetër që ata e përfaqësojnë…Kësaj radhe po marrim pjesë në 13 sporte të ndryshme. Për këtë uroj shumë që përveç rezultateve të xhudos, për të cilat jam i sigurt që nuk do të na mungojnë, të arrijmë medalje edhe në sportet tjera.”, the Kurti.

Para 19 sportistëve foli edhe kampionja olimpike Distria Krasniqi e cila tha se si kampione olimpike e kësaj gare pret edhe shumë medalje së bashku edhe me sportistët e sporteve të tjera.

“Është hera e dytë që marr pjesë në Lojërat Mesdhetare dhe kam fituar medaljen e artë edhe gjithë ne kemi pasur një paraqitje shumë të mirë ku jemi kthyer me katër medalje, tri të arta dhe një të argjendtë dhe shpresojmë që këtë vit do të marrim shumë medalje të tjera, jo vetëm nga sporti i xhudos por edhe nga sportet tjera kështu që iu uroj shumë fat dhe suksese të gjithë atyre që do të marrin pjesë”, tha shkurtimisht Krasniqi.

Kurse trajneri më i mirë në botë në xhudo Driton Kuka theksoi se sportistët janë ambasadorët më të mirë të Kosovës në 10 vitete e fundit dhe se u shpreh i bindur se me sukseset e sportistëve edhe Algjeria do ta njohë Kosovën.

“Prezenca e kryeministrit dhe e institucioneve më të larta të sportit këtu tregon që sporti dhe sportistët e kanë një përkrahje jashtëzakonisht të madhe edhe po besoj shumë që kjo përkrahje të rritet sepse sporti në këto 10 vitet e fundit ka qenë ajo shtylla më e rëndësishme e diplomacisë sportive sepse kemi depërtuar atje ku politika nuk ka mundur të depërtojë prej Rusisë, Kinës e Brazilit e tani po shkojmë edhe në një shtet që nuk e njeh Kosovë, por jam i bindur, në emër të trajnerëve po flas, që kanë punuar mirë me sportistë dhe Algjeria do ta njohë Kosovën, ashtu siç duhet me vlerat e saj më të mëdha që janë për momentin sportistët. Sportistët janë më të mirë në Kosovë për momentin, të tjerat që lë punojnë dhe le të na kalojnë”, tha Kuka.

Në fund të ceremonisë, presidenti i KOK-ut Ismet Krasniqi ia dorëzoi kryeministrit Albin Kurti pinin e ekipit të Lojërave Mesdhetare si dhe u prezantuan dy fanellat e Kosovës me të cilat do të paraqitet sportistët në Algjeri, njëra e kaltër e tjetra e bardhë.

Lexo edhe

Video