Komiteti Olimpik i Kosovës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Kompaninë Burger King, bashkëpunim ky i cili u vlerësua si shumë i rëndësishëm nga dy palët.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi me rastin e nënshkrimit të kontratës deklaroi se përfitimet financiare që dalin nga kjo marrëveshje do të dedikohen për sportistët dhe federatat, e posaçërisht për sportistët që janë duke u përgatitur për Lojërat Olimpike “Parisi 2024.
Ai po ashtu bëri të ditur se marrëveshja do të jetë me kohëzgjatje prej një vitit, por me mundësi vazhdimi
“Kemi kënaqësinë të iu informojmë sot se kemi arritur marrëveshje e sponsorizimit më një ndër kompanitë dhe brendet më të mëdha botërore siç është “Burger Kingu”. Kjo marrëveshje do të vlejë për një vit me mundësi vazhdimit edhe vitet tjera…Padyshim se të gjitha këto mjete edhe të “Burger Kingut”, por edhe të sponsorëve të tjerë do t’i dedikohen sportistëve tanë, trajnerëve tanë e sidomos atyre të cilët janë tani në fazën e përgatitjeve për lojërat e ardhshme “Paris 2024”, tha Krasniqi.
Kurse Drejtori ekzekutiv i kompanisë “Burger King”. Shkumbin Muçolli, u shpreh shumë i lumtur me arritjen e këtij bashkëpunimi me KOK-un duke shtuar se qëllimi kryesor i kësaj marrëveshje është që të kontribuohet në avancimin e sportit në Kosovë.
“Ne kemi kënaqësinë e veçantë që sot të finalizojmë një proces për një bashkëpunim afatgjatë me Komitetin Olimpik të Kosovës, krejt kjo me qëllimin e vetëm që të kontribuojmë sa do pak në avancimin e sportit dhe në edukimin sportiv dhe olimpik përkrah Komitetit Olimpik të Kosovës.”, theksoi Muçolli.
