KOK shpalos të arriturat për vitin 2022: Kemi rritur buxhetin 100 për qind
Sport
Lexohet për: 2 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) mbajti sot Asamblenë e Përgjithshme, ku u shpalosën të arriturat e këtij institucioni përgjatë vitit 2022.

Kjo Asamble filloi me intonimin e himnit shtetëror dhe himnit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), raporton KosovaPress.

Më pas, fjalën morën presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe drejtori i sportit në Ministrinë e Kulturës Rinisë e Sportit (MKRS), Ibër Alaj.

Presidenti Krasniqi zbuloi disa prej punëve më të mira dhe vendimeve të marra të KOK-ut të vitit të kaluar.

"Kemi rritur buxhetin e KOK-ut për pothuajse 100% nga viti paraprak 2021, rritje kjo që do të shkojë për sportistët, trajnerët dhe aktivitetet e ndryshme... Për herë të parë Bordi Ekzekutiv ka vendosur të ndajë bursa edhe për trajnerët, ku gjashtë trajnerët më të suksesshëm do të marrin bursa çdo muaj deri në Paris 2024. Kemi rritur vlerën e bursave të 22 sportistëve të cilët synojnë normat olimpike... Kemi ngritur numrin e bursistëve ‘Shpresa Olimpike 2023’ nga 25 në 32, të cilët mbështeten me bursa mujore direkt nga të ardhurat e KOK-ut", tha Krasniqi.

Po ashtu, Krasniqi tha se KOK-u ka fituar për herë të parë projekte në Bashkimin Evropian përmes programeve të Erasmus+, dhe se ka filluar hartimi i planit strategjik për periudhën 2023-2028.

E drejtori sportiv i MKRS-së, Ibër Alaj e përgëzoi KOK-un për Asamblenë e Punës, duke shpresuar se të gjitha aktivitetet e parapara të jenë të realizuara.

Pas fjalimeve u bë edhe përkujtimi për kontribuesit e sportit të cilët u ndanë nga jeta gjatë vitit 2022.

Ndërkaq, pjesa e punës e kësaj Asambleje përfshinte shqyrtimin dhe miratimin e procesverbalit nga Asambleja e Punës së KOK, shqyrtimin dhe miratimin e Raportit vjetor të punës së KOK-ut për vitin 2022 si dhe shqyrtimin dhe miratimin e Raportit financiar për periudhën 1 janar - 31 dhjetor 2022. /A.Arifi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024