KOK shënon Ditën Olimpike, Majlinda Kelmendi mbjell pemën e saj

KOK shënon Ditën Olimpike, Majlinda Kelmendi mbjell pemën e saj

Pas zbulimit të rrathëve Olimpikë, Komiteti Olimpik i Kosovës ka vazhduar me aktivitetet tjera për shënimin e Ditës Olimpike.

Drejtuesit e KOK-ut së bashku me sportistët elitar të Kosovës kanë mbjellur pemët e tyre Olimpike në hapësirat e Kampusit Universitar të Prishtinës.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe dy xhudistët kosovar, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova si dhe trajneri i tyre Driton Kuka.

Me këtë rast, i pari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani u shpreh se mbjellja e një peme nga sportistë si Majlinda Kelmendi do të jetë frymëzim për të rinjtë kosovar.

“Unë besoj që Majlinda, Nora, Toni por edhe drejtuesit tjerë do të jenë frymëzim për shumë sportistë, për shumë shpresa Olimpike që edhe ata një ditë ta kenë pemën e tyre me emrin e tyre dhe kjo do të qëndrojë deri sa të qëndrojë kjo pemë”, tha Hasani.

Trajneri i mirnëjohur, Driton Kuka u shpreh se mbledhja e këtyre pëmve është një simbolikë e bukur e nisur nga KON dhe që përcillet çdo vit nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

“Një simbolikë shumë e bukur e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, e përcjellur nga KOK, mbledhja e pemëve Olimpike. Simbolikë të cilën e kemi ndjek edhe në vitin 2016 në shkollën fillore në të cilën kemi qenë të tre dhe kjo ka ndodh pikërisht në Ditën Olimpike domethënë më 23 qershor 2016 dhe atë vit e kemi sjell edhe medaljen e artë Olimpike, kështu që shpresoj që kjo simbolikë tash në kryeqytet, ajo ka qenë në Pejë të ndjeket me medalje jo vetme një por ndoshta më shumë se një vitin e ardhshëm”, u shpreh Kuka.


Ndërkohë kampionja Olimpike, Majlinda Kelmendi tha se shpreson shumë që vitin e ardhshëm të vendos medaljen tjëtër nga Lojërat Olimpike në pemën e saj olimpike.

“Mënyra se si ka zgjedhur KOK-u ta kremtoj këtë ditë është shumë e qëlluar do të thotë secili nga ne ka mbjellur nga një pemë, e cila do të mbajë emrin e secilit. Lojëra Olimpike janë kujtimi më i mirë i jetës sime kështu që sa herë që mblidhemi për diçka që ka të bëjë me Lëvizjen Olimpike vij me shumë kënaqësi. Sigurisht që është kënaqësi shumë e mirë. Duke e mbjellur pemën Toni më tha që vitin e ardhshëm ki me ardh me vendos medalje në këtë pemë, kështu që po besoj dhe po shpresoj që ka me ndodh kështu”, deklaroi Kelmendi.

Nora Gjakova, xhudistja tjetër nga Peja deklaroi se shpreson që kjo pemë të frymëzoj edhe më shumë të rinjtë të merren me sporti.

“Më vjen shumë mirë që sot përmes mbledhjes së kësaj pema isha pjesë e festimit të Ditës Olimpike, shpresoj shumë që kjo ditë ti vetëdisoj të gjithë të rinjtë të merren sa më shumë me sport dhe pse jo të bëjnë ëndrrën e tyre realitet që një ditë të jenë pjesëmarrës në Lojëra Olimpike”, u shpreh Gjakova.

Përpos sportistëve, pemët e tyre Olimpike i mbjellën edhe drejtuesit e ndryshëm te Federatave sportive në Kosovë./KosovaPress/

 

 

Lexo edhe

Video

error: