Komiteti Olimpik i Kosovës ka takuar sot të gjithë partnerët, të cilët po e mbështesin KOK-un, në veçanti ekipin olimpik të Kosovës drejt suksesit në Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, kanë falënderuar të gjithë partnerët, të cilët janë bërë pjesë e familjes olimpike, për të cilët thanë se janë krahu i djathtë i aktiviteteve të KOK-ut, derisa i kanë inkurajuar të vazhdojnë mbështetjen edhe gjatë ciklit olimpik 2021-2024.
Të pranishëm në ceremoninë e mbajtur në Hotel Sirius, ishin drejtues të sponsorëve si: HIB Petrol, TEB ShA, Olive medical & laboratory, Toyota Kosova, RTK, Selmans Network, Sirius Hotel dhe KosovaPress.
Para sponsorëve, menaxherja e marketingut, Qëndresa Osmani, bëri një prezantim për impaktin që kishte Olimpiada e Tokios për Kosovën, si dhe promovimin e sponsorëve para, gjatë dhe pas LO Tokio 2020.
Në fund, presidenti Krasniqi ndau për secilin nga partnerët, fanella, me të cilat u paraqit ekipi olimpik i Kosovës në Tokio 2020, si dhe orën me logo të Tokio 2020.
Ndryshe, KosovaPress për më shumë se katër vjet është sponsor medial.