KOK dhe AAB me marrëveshje për akademisë olimpike

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Kolegjin AAB.

Pjesë e takimit dhe ceremonisë zyrtare të këtij memorandumi ishin presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti dhe dekani i fakultetit të sportit në Kolegjin AAB, Fatmir Pireva, përcjell KosovaPress.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi tregoi që kjo marrëveshje është tejet e rëndësishme për të dy institucionet dhe do të jetë një kapitull i ri me bashkëpunim më të ngushtë.

“Vërtetë është një ditë e veçantë sepse sot po nënshkruhet një marrëveshje memorandumi mjaftë të rëndësishëm për Komitetin Olimpik të Kosovës mirëpo edhe për Lëvizjen Olimpike. Ne kemi dhënë premtime që do të jemi shumë afër të gjitha institucioneve arsimore,  sidomos ato sportive që të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë sa i përket sportit dhe besoj që me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje do të hapet vërtetë siç tha sekretari një kapitull i ri dhe ne duhet patjetër që të kemi një bashkëpunim shumë të afërt mes dy institucioneve, Komitetit Olimpik dhe një universitet siç është Universiteti AAB”, tha Krasniqi.


Pas Krasniqit foli edhe dekani i fakultetit të sportit në Kolegjin AAB, Fatmir Pireva, i cili tregoi pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje mes KOK-ut dhe Kolegjit AAB.

“Marrëveshja do të përfshijë pikat më kryesore që janë në interes të dyanshëm. Shkëmbimi i stafi,t shkëmbimi i përvojave të përbashkëta më të mira, organizimi i aktiviteteve të ndryshme siç janë shkollat verore, simpoziumet e ndryshme, konferencat e përbashkëta e shumë aktivitete të tjera të cilat kanë mundësi të realizohen në bashkëpunim të dyanshëm….Nuk do të jetë vetëm kjo që do t’i paraprijë bashkëpunimit të ardhshëm. Ne mendojmë ashtu siç kemi biseduar edhe në takimet e mëhershme që kulminacioni i këtij bashkëpunimi do të jetë edhe themelimi i akademisë olimpike që ka qenë gjithmonë fokus i takimeve të mëparshme”, tha Pireva.

Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, e cilësoi këtë marrëveshje si një sfidë të re të Komitetit Olimpik, pasi që duhet të përparojë në aspektin edukativ.

“Interesi i Komitetit Olimpik është të ketë bashkëpunime të tilla me institucione akademike të akredituara që kanë vlerat dhe fushat, në fakt në të cilat zhvillohet edhe sporti si fushë dhe veprimtari profesionale, kështu që për neve është një kënaqësi e madhe, e shohim edhe si një sfidë e re për Komitetin Olimpik, ku Komiteti definitivisht duhet të përparojë në pjesën e edukimit edukativ”, tha Aliti.

Lexo edhe

Video