Caktimi i vlerës së koeficientit në lartësinë prej 105 eurosh për këtë vit për pagat në sektorin publik, ka nxitur reagime të shumta. Nga pushteti u shprehën se vlera e këtij koeficienti është bërë nga përllogaritjet sipas mundësive. Ndërsa, nga opozita deklaruan se kjo vlerë është turpëruese, derisa shpresojnë se deputetët në Kuvend të kenë një qasje më serioze karshi e situatës, në të cilën ndodhet vendi. Sipas opozitës, vlera e koeficientit do të duhej të ishte më e lartë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu tha për KosovaPress se kjo vlerë e koeficientit ka zhgënjyer pothuajse të gjithë punëtorët e sektorit publik, duke nxitur edhe braktisjen e mëtejmë të vendit.
Deputeti nga Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa u shpreh se një koeficient do duhej të ishte së paku 125 euro.
Ai tha se kryeministri Kurti është kujdesuar vetëm për veten duke e rritur pagën në lartësinë e një rroge mesatare në Kosovë.
Ndërsa, nga pozita u potencua se është inkurajues fakti që është paralajmëruar se në vitin 2024, do të rritet vlera e koeficientit.
Nënkryetarja e dytë e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku tha për KosovaPress se vlera e koeficientit prej 105 eurosh është bërë bazuar në përllogaritjet, sipas mundësive.
“Është e qartë se bazuar në rrethanat, në situatën ekonomike në vend, ky është koeficienti që është bërë bazuar në përllogaritjet sipas mundësive. Nëse flasim për sektorin e shëndetësisë dhe me theks të mjekët që ka qenë kërkesa më e madhe të përmirësohet paga, tash kemi një dyfishim të pagës së mjekëve specialistë, rritje e pagave në përgjithësi ne sektorin e shëndetësisë. Unë edhe si kryetare e komisionit do të angazhohem në vazhdimësi, jo vetëm të kontribuojë në përmirësimin e situatës në përgjithësi, por sidomos tek kushtet e punës, edukimi i vazhdueshëm profesional, ndarja e mirëfilltë e specializimeve sipas nevojës dhe kjo është në pako që ne duhet t’i ofrojmë punëtorëve shëndetësorë që ata të ndihen më mirë dhe e mira s’ka fund, por këto ishin mundësitë reale për momentin. Fakti që është paralajmëruar se në vitin 2024, do të rritet vlera e koeficientit është inkurajuese. Mosmiratimi, nëse (ligji) dërgohet në Gjykatë Kushtetuese dhe bie do të mbesim si jo tani dhe tani për tani nuk është situata e mirë edhe sa i përket pagave.”, tha Mulhaxha-Kollçaku.
Ndryshe, qeveria më 1 shkurt ka përcaktuar vlerën e koeficientit 105 euro për paga në sektorin publik. Ndërsa, Ligji për pagat është miratuar në dhjetor të vitit 2022. Pagat me koeficientin e ri do të fillojnë se zbatuari nga ky muaj, në rast se i njëjti nuk përfundon në Gjykatën Kushtetuese.