KMDLNJ shpreson që nesër t’u jepen pagat mësimdhënësve

KMDLNJ shpreson që nesër t’u jepen pagat mësimdhënësve

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) pret që Qeveria e Kosovës nesër të procedojë me pagat për muajin shtator për mësimdhënësit, në të kundërtën “do të bartë përgjegjësi të plotë për destabilizim eventual të situatës dhe shkelje të drejtave të njeriut”.

Në një komunikatë për media KMDLNJ thotë se mos procedimi i pagave për punonjësit në arsim për muajin shtator është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

“Edhe nëse Qeveria e Kosovës këmbëngul në vazhdim të luftës kundër sindikalistëve, KMDLNJ kërkon nga SBASHK- u të mos hyjë në grevë, por të bëjë padi individuale në gjykata të rregullta. Pa asnjë dyshim se gjykatat do të marrin vendim në favor të grevistëve që në rastin konkret, padrejtësisht dhe brutalisht po penalizohen nga institucionet për një aktivitet të ligjshëm sindikalist”, thuhet në komunikatë.


Në reagim thuhet se greva ka qenë e shmangshme për ta zgjidhur problemin përmes një marrëveshjeje të negociuar, por një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të refuzimit të qeverisë ndaj kërkesave të grevistëve.

Ndonëse KMDLNJ ka pasur rezerva për këtë grevë, në anën tjetër e njeh dhe pranon të drejtën e grevës, si e drejtë elementare e njeriut dhe, në rastin konkret SBASHK-u ka vepruar në përputhje të plotë me mandatin që ka në përputhje të plotë me ligjet e zbatueshme në Kosovë që garantojnë pavarësinë e plotë të organizimit dhe veprimit sindikalist.

Në këtë kontekst KMDLNJ ka përkrahur SBASHK-un duke kërkuar që Qeveria e Kosovës të mos ndërmerr veprime hakmarrëse kundër grevistëve sikur që të ndërpresë fushatën linçuese, të pashembullt për një shtet demokratik kundër drejtuesve të SBASHK-ut dhe kryetarit të saj, Rrahman Jasharaj.

Arsyetimi cinik dhe i pamoralshëm se SBASHK duhet të kompensojë grevistët, nga disa organizata klienteliste të shoqërisë civile apo individëve që e kanë buxhetin vjetor sa i tërë buxheti i SBASHK-ut, gjatë një viti kalendarik, është kërkesë skajshmërisht e pamoralshme dhe qëllimkeqe e që nuk kontribuon në tejkalimin e situatës, përfundon komunikata.

Lexo edhe

Video