KMDLNJ kërkon nga Qeveria e SBASHK-u të gjejnë zgjidhje për ndërprerjen e grevës

KMDLNJ kërkon nga Qeveria e SBASHK-u të gjejnë zgjidhje për ndërprerjen e grevës

KMDLNJ u ka bërë sot thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të SBASHK-ut dhe Këshillit grevist të gjejnë një zgjidhje të pranueshme qoftë edhe për një afat të caktuar, deri te një zgjidhje përfundimtare, për t’i dhënë fund grevës në arsim.

Thirrja e KMDLNJ-së vjen në kohën kur Qeveria e Kosovës dhe SBASHK-u nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për tejkalimin e dallimeve në lidhje me fillimin e vitit të ri shkollor, për shkak të kërkesave për 100 euro shtesë deri në miratimin e ligjit për pagat.

Ndonëse pas nisjes së grevës më 25 gusht, Qeveria ka ofruar 50 euro shtesë për punonjësit në sektorin publik, SBASHK-u ka refuzuar një gjë të tillë, duke thënë se qëndron prapa kërkesave të saja, të cilat ajo i quan legjitime. KMDLNJ thotë se Qeveria ka gabuar pasi nuk e ka marrë me seriozitet paralajmërimin për grevë dhe ka kundërshtuar çdo takim me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

“Refuzimi i vendosur i kryeministrit Kurti ta takojë kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jasharaj e vështirëson zgjidhjen e ngërçit të krijuar aq më parë që ministrat dhe vartësit e kryeministrit nuk dalin jashtë qëndrimeve të kryeministrit madje, për më keq me një fjalor fyes dhe kërcënues e fusin çështjen në rrugë pa zgjidhje”, thekson KMDLNJ.


KMDLNJ takimin e presidentes Vjosa Osmani me SBASHK-un e quan më tepër pengues sesa me qëllim të mirë, teksa kërkesat për “ose 100 euro ose do të bëhet kiameti” e sheh si të paarsyeshme dhe dëshmi e mungesës së gatishmërisë për tërheqje nga pozitat fillestare.

Njëherësh KMDLNJ kërkon ndalimin e gjuhës së urrejtjes ndaj kryetarit të SBASHK-ut dhe anëtarëve të Këshillit Grevist, ndërsa bën thirrje për kompensim të orëve të humbura mësimore, për çka SBASHK-u tha se ato nuk do të kompensohen.

“Deri në kohën kur kryeministri Albin Kurti do të refuzojë ta takojë kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, përgjegjësia e kryeministrit do të jetë e pamohueshme dhe e pafalshme ndërsa, nëse realizohet ky takim dhe SBASHK do të këmbëngulë 100% në realizim të kërkesave, një pjesë e përgjegjësisë do të shkojë në adresë të Rrahman Jasharajt dhe udhëheqësve të grevës. Nëse mund të bëjnë dhe bëjnë kompromis dy shtete, pse nuk do të bënin kompromis dy institucione brenda shtetit të njëjtë”, thekson KMDLNJ.

KMDLNJ thërret palët që urgjentisht të gjejnë një zgjidhje dhe nxënësit të fillojnë mësimin, ndryshe konsideron se të dyja palët do të marrin përgjegjësi për shkelje të rënda dhe serioze të drejtave të njeriut për një arsim cilësor dhe të domosdoshëm.

Lexo edhe

Video