KMDLNj i quan të pashpirt deputetët që nuk votuan ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

KMDLNj i quan të pashpirt deputetët që nuk votuan ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kërkuar lehtësim të masave kufizuese për mbrojtje ndaj COVID-19.

Në reagimin e KMDLNj-së thuhet se mbyllja ka prodhuar dëme në sistemin e arsimit dhe se ka dëmtuar bizneset duke shuar edhe vende të punës.

KMDLNj i ka quajtur të pashpirt deputetë që nuk votuan Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Të kufizosh bizneset apo edhe të mos lejosh fare disa biznese në kohën kur deputetët e pashpirt të Kuvendit të Kosovës nuk e votojnë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike , përveç se është krejtësisht e pamoralshme dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut (e drejta për punë është e drejtë e njeriut), është edhe kontribut i drejtpërdrejtë i deputetëve të Kuvendit të Kosovës në shuarje të bizneseve dhe rritje të varfërisë. Nëse shteti nuk ka mundësi të ndihmojë bizneset dhe kategoritë sociale, atëherë, së paku nuk duhet të pengojë punën e tyre”, thuhet në reagim.

Reagim i KMDLNj – së:


ËSHTË KOHA PËR LEHTËSIM TË MASAVE KUFIZUESE !

Për të parandaluar dhe mbajtur nën kontroll rastet e pandemisë së shkaktuar nga COVID -19, qeveria aktuale pati trashëguar masa shtrënguese nga qeveria paraprake, masa këtë të vendosura në shumë vende të botës si masa parandaluese. Në fakt, qeveria Kurti në fund të mandatit  të parakohshëm pati lehetësuar shumë masa shtrënguese për faktin se numri i të prekurve e sidomos i atyre që përfundonin me fatalitet ishte në rënie e sipër sikur që edhe vet situata, sidomos ajo ekonomike ndikoi që të hapen disa biznese sikur edhe të largohet masa kufizuese e lirisë së lëvizjes që, me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ishte shpallur se është në kundërshtim me kushtetutën. Qeveria Hoti e bëri një hapje edhe më të madhe mirëpo, me rritjen e të prekurve nga COVID -19 sikur edhe me rritjen e atyre që nuk i përballuan pandemisë, disa masa u rikthyen por se aspak nuk ndikuan në zvogëlimin e numrit të të prekurve ndërsa ata që humbën jetën ishin në rritje e që ishte shqetësim i madh. Krahasuar me numrin e banorëve, numri i të infektuarve e sidomos i atyre që përfunduan me fatalitet në Kosovë ishte mbi mesataret e vendeve të rajonit sikur edhe të vendeve të botës e që shënonin rekorde. Me  miratimin e Ligjit për Pandeminë u sigurua një bazë ligjore për sanksionim të gjithë atyre që nuk respektonin masat kufizuese të qeverisë së Kosovës me rekomandim të IKSHPK e që për KMDLNj kishte vendime jologjike gjatë shqiptimit të dënimeve. Ka qenë krejtësisht e paarsyeshme shqiptimi i dënimit për ngarësin e automjetit që ka qenë i vetëm në makinë apo me anëtarë të ngushtë të familjes dhe nuk kanë vendosur maska mbrojtëse. Për këtë arsye KMDLNj kërkon që të gjithja dënimet të shqiptuara në raste të tilla të mos ekzekutohen. Gjithashtu, KMDLNj vlerëson se vendosja e maskave në ambiente të hapura nuk do të duhej të ishte detyruese kurse në ambiente të mbyllura gjithsesi duhet të vendosen. Kufizimi i lirisë së lëvizjes për persona të moshuar gjatë ditës është treguar kontraproduktive për faktin se nuk ka pasur kapacitete të mjaftueshme të kontrollohet prandaj kjo duhet të largohet sa më shpejt. Nuk ka asnjë kuptim të vendosni një masë kufizuese të lirisë së lëvizjes për të moshuar në emër të mbrojtjes së shëndetit të tyre kurse në anën tjetër nuk siguroni falas mjetet mbrojtëse parandaluese, nuk siguroni mjete as për mbijetesë minimale, nuk e bëni testin COVID -19 përveç se nëse nuk kanë një intervenim të fortë dhe kushte të tjera parandaluese. Kufizimi i lirisë së lëvizjes nga ora 22.30 deri në ora 6.00 të mëngjesit është veprim krejtësisht i papeshuar  dhe i panevojshëm aq më parë që në atë kohë, vetëm në raste të ndonjë emergjence mund të ketë lëvizje.

Mbyllja e stërzgjatur ka prodhuar shumë dëme në sistemin e arsimit në të gjitha nivelet, ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë bizneset , ka shuar shumë vende të punës duke rritur numrin e rasteve sociale, ka ndikuar në rritjen e rasteve të dhunës në familje dhe format tjera të kriminalitetit. Vetëm pas përfundimit të pandemisë të gjitha këto dukuri negative si pasojë e mbylljes do të shpërfaqen në dimensionin e vërtetë. Të kufizosh bizneset apo edhe të mos lejosh fare disa biznese në kohën kur deputetët e pashpirtë të Kuvendit të Kosovës nuk e votojnë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike , përveç se është krejtësisht e pamoralshme dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut (e drejta për punë është e drejtë e njeriut), është edhe kontribut i drejtpërdrejtë i deputetëve të Kuvendit të Kosovës në shuarje të bizneseve dhe rritje të varfërisë. Nëse shteti nuk ka mundësi të ndihmojë bizneset dhe kategoritë sociale, atëherë, së paku nuk duhet të pengojë punën e tyre. Në shumë shtete, shumë më të fuqishme ekonomikisht dhe profesionalisht se Kosova , qytetarët protestojnë kundër qeverive të tyre për masat kufizuese dhe kanë arritur të eliminojnë shumë nga këto masa në ndërkohë që po kërkojnë edhe largimin e distancimin social. Ndeshjet sportive mbahen thuaja në të gjitha shtetet sikur që është lejuar prania e kufizuar e tifozëve. Qeveria e Kosovës ka vendosur kusht testin anti COVID -19 për shtetasit e Maqedonisë së Veriut duke dëmtuar më së shumti pikërisht qytetarët shqiptarë të këtij shteti sikur edhe shqiptarët nga Kosova që, sipas parimit të reciprocitetit, edhe Maqedonia e Veriut ka ashpërsuar masat.

Të dy qeveritë, ajo Kurti që ishte jetshkurtër por më efikase në menaxhimin e pandemisë sikur edhe qeveria Hoti kanë abuzuar me testet duke bërë dallime diskriminuese në bazë të statusit në shoqëri, atij ekonomik dhe politik për çka KMDLNj ka reaguar disa herë. Numri i testeve rrallë se ka kaluar 500 për 24 orë e që ka qenë i pamjaftueshëm për identifikim të rasteve aktive dhe ndërmarrje të masave parandaluese. Tash është rritur numri i testimeve, jo shkaku se qeveria e Kosovës ka ndarë mjete shtesë apo se ka krijuar kushte por shkaku se Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur ka siguruar 1,5 milionë dollarë nga SOROS në New për rritjen dhe intensifikimin e testimeve. Qeveritë e Kosovës, ajo e Kurtit dhe kjo e Hotit, kanë pasur detyrim të sigurojnë testime falas për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë pasur nevojë aq më parë që janë ndarë mjete të konsiderueshme nga Buxheti i Kosovës dhe janë dhënë shumë donacione ndërkombëtare. Për më keq, në një situatë të përkeqësimit të skajshëm të gjendjes materiale për shumicën e qytetarëve të Kosovës, qeveria Hoti ka hapur, pa kritere të përcaktuara dhe me një monitorim të brishtë, mbi 120 laboratore private që kanë bërë analiza serologjike dhe anti COVID , me çmime më të larta se në të gjitha vendet e rajonit.

KMDLNj kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të tejkalojnë intereset partiake dhe ta votojnë me urgjencë ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, të plotësojnë kushtet për punë për gastronominë, të mundësohen aktivitetet kulturore me disa kufizime sikur që duhet të hiqet kufizimi i lirisë së lëvizjes, edhe për personat e moshuar sikur edhe për të tjerët në afatet e caktuara më parë. Qeveria e Kosovës duhet të tërheq kushtin e vërtetimit anti COVID për qytetarët e Maqedonisë së Veriut  duke liberalizuar lirinë e lëvizjes për shtetasit e të dy shteteve sikur që e ka me Shqipërinë dhe Serbinë.

Lexo edhe

Video

error: