KMDLNJ: Asociacioni të diskutohet vetëm nëse garantohet pacënueshmëria e kufijve të Kosovës përmes njohjes reciproke

KMDLNJ: Asociacioni të diskutohet vetëm nëse garantohet pacënueshmëria e kufijve të Kosovës përmes njohjes reciproke

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar pas deklarimeve të zyrtarëve të BE-së rreth marrëveshjes për asociacionin.

Në një komunikatë për media thuhet se në përmbajtjen që e ka asociacioni i ratifikuar duhet të diskutohet vetëm nëse garantohet pacënueshmëria e kufijve të jashtëm të Kosovës përmes njohjes reciproke me Serbinë si dhe duke njohur dhe pranuar kufijtë aktualë.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë nënshkrim të marrëveshjes detyruese me Serbinë pa konsensus politik dhe nacional”, thotë KMDLNJ.


Për më tepër, KMDLNJ thotë se Kosova është vënë para një presioni, kërcënimi dhe shantazhimi të fuqishëm për zbatim të kësaj marrëveshjeje.

“Lista Serbe dhe Goran Rakiq kanë kërcënuar, bashkë me Vuçiqin dhe Petkoviqin se nëse asociacioni nuk themelohet në nëntor, të gjithë serbët do të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës. Në anën tjetër, Raporti i Progresit kërkon që urgjentisht të themelohet asociacioni dhe se marrëveshja finale gjithëpërfshirëse është çështja e ngutshme. Kur kësaj i shtohet konfiguracioni i ri diplomatik në Ballkan atëherë bëhet e qartë se bisedimet me Serbinë janë afër përfundimit dhe se marrëveshja finale thuaja është gatuar”, thuhet më tej në reagim.

KMDLNJ vlerëson se opozita aktuale ka përgjegjësi konkrete dhe faktike për marrëveshjen për asociacionin dhe ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, andaj nuk ka kredit moral dhe politikë të luftojë Qeverinë aktuale me këto armë.

“Kryeministri Albin Kurti duhet të angazhohet seriozisht për ndërtimin e një konsensusi politikë dhe nacional pas së cilës do të nënshkruhej një marrëveshje eventuale me Serbinë. Në formën e sidomos në përmbajtjen që e ka Asociacioni i ratifikuar duhet të diskutohet vetëm nëse garantohet pacënueshmëria e kufijve të jashtëm të Kosovës përmes njohjes reciproke si dhe duke njohur dhe pranuar kufijtë aktualë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë nënshkrim të Marrëveshjes detyruese me Serbinë pa konsensus politik dhe nacional. Subjektet politike kosovare dhe liderët politikë duhet ta ndërtojnë këtë unitet në mënyrë që Kosova të dëmtohet sa më pak. Nëse Serbia dhe Lista Serbe po e shantazhojnë Kosovën në mënyrë agresive dhe të dhunshme për formimin e asociacionit të komunave serbe edhe BE po e shantazhon Kosovën në mënyrë të sofistikuar përmes raporteve dhe pengimit të shtrirjes së sovranitetit në pjesën veriore të Kosovës. Sulmet ping-pong midis pozitës dhe opozitës vetëm sa po e dëmton pozicionin e Kosovës duke i krijuar të gjitha kushtet për një marrëveshje të keqe”, thuhet në reagim.

Lexo edhe

Video

error: