Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Klinika e Radiologjisë shërbeu mbi 11 mijë pacientë me COVID-19

Klinika e Radiologjisë shërbeu mbi 11 mijë pacientë me COVID-19

​Klinika e Radiologjisë mbetet ndër klinikat më të ngarkuara në Kosovë. Vitin që lamë pas asaj iu shumëfishua puna, duke pranuar edhe pacientët me COVID-19.

Klinika e Radiologjisë së bashku me Infektivën, Intensivën dhe Anestezionin, nuk i ndalën shërbimet për pacientët e prekur me virusin SARS-COV-2.

Gjatë vitit të kaluar kjo klinikë ia doli që me sukses t’iu shërbejë mbi 11 mijë pacientëve të prekur nga COVID.

Drejtori i Klinikës së Radiologjisë, Bujar Gjikolli thotë se falë angazhimit të menaxhmentit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, kanë arritur të jenë vazhdimisht në shërbim të pacientëve.

Në një intervistë për KosovaPress, Gjikolli thotë se me krijimin e hapësirave të reja dhe renovimin e kësaj klinike, blerjen e aparaturave të rëntgenit, kontrastit si dhe me planifikimet e duhura kanë arritur që t’i përgjigjen me sukses pandemisë.

“Përkundër që kemi pasur një vit të vështirë, Radiologjia është dëshmuar si një Klinikë në vijën e parë të shërbimeve si lider, bashkë me Infektivën, Intensivën dhe Anestezionin, që kemi shërbyer popullatën vazhdimisht, veçmas ata me COVID pandërprerë. Ndërsa pas periudhës së shkurtër të ndërprerjes që ishte në mars – prill, ne si klinikë kemi shërbyer të gjithë pacientët. Të gjitha shërbimet janë kryer 24 orë, në urgjencë, në tomografi të kompjuterizuar, me radiografi, me ultratingull, dhe pasdite dhe në fundjavë, edhe me rezonancë magnetike dhe biopsitë. Do të thotë të gjitha shërbimet janë dhënë për të ndihmuar pacientët të ruajnë mirëqenien e tyre financiare, ekonomike dhe shëndetësore duke ofruar këto shërbime që janë mjaft të shtrenjta”, thotë ai.

Vitin që lamë pas, krahas ballafaqimit me virusin vdekjeprurës, Klinika e Radiologjisë ka arritur që të ulë listën e pritjes për shërbime në zero.

Për drejtorin e kësaj klinike, krejt ky sukses është arritur falë menaxhimit adekuat dhe mbarëvajtjes së shërbimeve, ku për herë të parë, siç thotë ai, nuk ka pasur mungesë të kontrasteve apo prishje afatgjata të aparaturave.


“Klinika e Radiologjisë e ka përmbyllur vitin 2020 me mjaft sukses, me të arritura të mëdha, fakti që ka sjellë uljen e listës së pritjes për shumicën e shërbimeve deri në zero. E pastaj, me përkrahjen e juve mediave, për çka ju falënderoj, duke informuar popullatën për të arriturat e Klinikës së Radiologjisë, popullata ka ardhur me kërkesa. Dhe, ne jemi duke mbajtur listën e pritjes së rezonancës magnetike 2-4 javë, varet sa vijnë. Punojmë të shtunën, punojmë të dielën, punojmë pasditeve me rezonancë magnetike. Të gjitha shërbimet ju afrohet pacientëve kosovarë me ato aparatura që i kemi”, shton ai.

Gjikolli përmend disa nga sukseset e klinikës që e udhëheq, teksa veçon trajtimin e infarktit në tru.

“E arritur e madhe e Klinikës së Radiologjisë, është hapja 24 orë e shërbimit të radiologjisë në Klinikën e Neurologjisë, me tomografi të kompjuterizuar, duke shërbyer emergjencën e Klinikës së Neurologjisë për pacientët më të vështirë, ata që pësojnë insultë dhe patologji tjera traumatike, që e dëmtojnë sistemin nervor. E në anën tjetër, viti 2020 është edhe vit i të arriturave të shëndetësisë kosovare, që për herë të parë në historinë e shëndetësisë, ne kemi arritur që të hapim enët e gjakut pa operim dhe t’i kthejmë nga invaliditeti pacientët që kanë pësuar infarkte në tru, t’i kthejmë në normalitet. Është kënaqësi që një 58 vjeçar, një 68 vjeçar, një 20 vjeçar, të cilët janë paralizuar, ne në klinikën tonë, me përkrahjen e anesteziologut, me përkrahjen e Klinikës së Neurologjisë, dhe përkrahur nga Ministria e Shëndetësisë, kemi arritur që t’i kthejmë ata në normalitet. Ata sot ecin, janë të pavarur dhe nuk janë invalid. Kjo e arritur do të zhvillohet edhe më tutje”, thotë ai.

Gjikolli thotë se sfida e radhës është krijimi i një sistemi të përgjigjes së shpejtë për trajtimin e pacientëve të paralizuar në tërë Kosovën.

Ndërsa në fund, ai tregon për numrin e shërbimeve që kanë arritur të ofrojnë për pacientët me COVID-19 gjatë vitit që lamë pas. Ndërsa shton se gjatë 24 orëve në Klinikën e Radiologjisë marrin shërbime deri në 600 pacientë.

“Ne e kemi numrin që kemi shërbyer rreth 11 mijë pacientë me COVID, që e kemi pasur të konfirmuar. Ndërsa kemi pasur edhe shumë pacientë që nuk e kanë ditur që janë me COVID, ku personeli ynë i ka kryer dhe vazhdon t’i kryejë ato raste, duke respektuar masat e distancës dhe të mbrojtjes personale. Në ditë ne kemi 300-500 radiografi që kryhen, brenda 24 ore kemi 50-100 tomografi të realizuara, kemi 50-80 ultratinguj që kryhen, kemi 30-70 rezonanca magnetike që kryhen. Pra kemi në parim 300-600 pacientë që vijnë në ditë për shërbimet e Klinikës së Radiologjisë”, bën të ditur Gjikolli.

Konfirmimin për menaxhimin dhe realizimin e investimeve të duhura Klinika e Radiologjisë e ka marrë nga Agjencia Kosovare për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria bërthamore, e cila për herë të parë ka licencuar këtë klinikë, pasi ka konsideruar se i plotëson kushtet e nevojshme.



Lexo edhe

Video

error: