Klima e të bërit gazetari në Kosovë po rëndohet, sfidë pagat e ulëta

Klima e të bërit gazetari në Kosovë po shkon duke u rënduar dhe sulmet ndaj gazetarëve po shkojnë duke u rritur, ku vetëm gjatë vitit 2020 kanë ndodhur 24 raste të sulmeve ndaj tyre.

Kështu u bë e ditur në konferencën e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës gjate publikimit të raportit “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve 2020”, teksa u tha se problematike vazhdon të jetë pagesa e ulët për punën e gazetarëve.

Kryetarja e Bordit të AGK, Gentiana Begolli, tha se gjendja e gazetarëve në Kosove nuk është e mirë, ku përmendi se punëtorët medialë në Kosovë ballafaqohen me paga shumë të ulëta e punë me orar të stërngarkuar.

“Rastet e atakimeve të shumta të formave të ndryshme në drejtim të gazetarëve nga viti në vit vetëm sa shtohen, rritet numri i atakimeve të gazetarëve në shtetin tonë. Klima e të bërit gazetari pa diskutim se po shkon duke u rënduar. Kolegët tanë vazhdojnë të ballafaqohen me probleme të njëjta thuajse me paga shumë të ulëta, me një skepticizëm kur është në pyetje ndjekja e të drejtës së tyre në organet e drejtësisë, marrë parasysh gjithmonë se ata nuk është se trajtohen me prioritet ashtu siç është proklamuar gjithmonë nga institucionet e drejtësisë, mirëpo lëndët e tyre qoftë zvarriten në raste kur nuk zvarriten dënimet janë minimale dhe kjo bënë që gazetarët të jenë skeptik që ta kërkojnë të drejtën e tyre tek organet e drejtësisë. Nëse flasim brenda mediumeve ku ata punojnë mund të themi lirisht se ata ballafaqohen me paga shumë të ulëta, me orare të stërngarkuara, me nga një ditë pushim në shumë media”, tha ajo.

Ajo tha se vet fakti që gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët kanë hezituar të flasin hapur edhe për AGK-në, tregon që klima e të bërit gazetari është më e rënduar sesa që flasin statistikat.

Begolli tha se është shqetësuese edhe autocensura që gazetarët i bëjnë vet punës së tyre, e për çka tha se nuk ka qenë e shfaqur në të kaluarën.

Raporti është prezantuar nga drejtoresha ekzekutive e AGK-së Getoarbë Mulliqi-Bojaj, e cila tha se sulmet ndaj gazetarëve kanë vazhduar me një trend rritës.

“Klima e të bërit gazetari në Kosovë nuk është aspak e lehtë, përkundrazi nga viti në vit po shkon dhe po vështirësohet. Ajo çka do të mund ta elaboronte  më së miri këtë nëse e krahasojmë sulmet të cilat janë bërë në drejtim të gazetarëve, në vitin 2018 kemi pasur 17 sulme të regjistruara në databazën tonë, në vitin 2019 kemi pasur 21 sulme, në ndërkohë që në vitin 2020 gjatë periudhës raportuese kemi 24 raste. Besojmë që ka edhe raste të tjera të cilat nuk janë raportuar në AGK, pra raste të izoluara siç e tha edhe kryetarja kryesisht kanë të bëjnë me rastet të cilat janë përbrenda mediumit ku punojnë, pra shkelen të drejtat e tyre në vendin e punës. Sulmet dhe kërcënimet fatkeqësisht që kanë ndodhur gjatë vitit 2020 janë ato të cilat janë bërë kryesisht është kthyer në trend nëpërmjet rrjeteve sociale dhe janë bërë nga persona të cilët në fakt do të duhej të mbronin të drejtat apo të promovonin lirinë e shprehjes, pra ka qenë një trend gjatë vitit 2020 që të bëhen nga politikanët apo nga zyrtarë të lartë shtetëror”, tha ajo.

Kryetari i Këshillit të mediave të shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, tha se është e domosdoshme që mediat të kenë kode të etikës.


“Është e vërtetë që në Kosovë vetëm një numër i vogël i mediave kanë kode të etikës, kode të brendshme të etikës, po kjo nuk do të thotë se mungesa e këtyre kodeve në njëfarë forme i bënë ato që të mos respektojnë në fakt kodin e etikës qoftë të mediave të shkruara dhe online ose kodin që mediat audiovizuele e ka Komisioni i Pavarur i Mediave. Natyrisht se kodet e etikës janë të rëndësishme për gazetarët për punën profesionale që e bëjnë ata ose ato, mirëpo vazhdimisht ka nevojë që këto kode të etikës ose për këto kode të etikës të vihen në pah edhe t’iu kujtohet gazetarëve se ato ekzistojnë dhe duhet t’i respektojmë. Para se të vij këtu isha në mbledhjen e rregullt që e kishim në KMShK edhe me iniciativën që gjatë dy muajve të ardhshëm të plotësohet kodi i etikës, pikërisht duke pasur parasysh disa specifika që kanë dalë në pah gjatë vitit të fundit, e kjo ne na jep një shtysë që të jemi në koherencë me zhvillimet që ndodhin në mënyrë që gazetarët të kenë një rregullativë të plotë ligjore sa i përket mënyrës se si ata funksionojnë edhe sa i përket mbrojtjes së tyre”, tha ai.

Shqetësuese tha se është autocensuara që gazetarët i bëjnë punës së tyre, si dhe frika që gazetarët po shfaqin për të treguar për problemet që i kanë gjatë punës së tyre.

Ai tha se është e domosdoshme që gazetarët të kenë një sindikatë të tyre, në mënyrë që të paraqesin problemet e tyre.

Ndërkaq, eksperti i mediave Dren Gërguri, paraqiti si problem pagat e ulëta me të cilat paguhen gazetarët, derisa tha se bëjnë një punë tejet të rëndësishme për shoqërinë.

“Pandemia na e ka treguar sa e rëndësishme është gazetaria dhe sa i rëndësishëm është informacioni i saktë dhe i drejtë, sepse në pandemi kur të gjithë kërkonin të kishin informacione sa më të sakta të gjithë i kthyem sytë kah gazetarët, sepse ata na informonin dhe ne i kthyem sytë nga njerëzit të cilët paguhen me një pagë e cila nuk iu mjafton për të bërë një jetë në këtë vend. Unë besoj që kjo do të ishte dhe do të duhej të diskutohej shumë nga komuniteti i gazetarëve në mënyrë që të gjendet një zgjidhje dhe t’i jepet fund këtij problemi i cili pastaj reflekton në punën e gazetarit”, tha ai.

Yll Zekaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se në vend ka një bazë ligjore mjaftë të mirë për mbrojtje të gazetarëve, por që tha se problemi është tek zbatimi i tyre. 

Ai tha se në asnjë profesion tjetër në Kosovë nuk ndodh të jenë 24 sulme, por vetëm tek gazetarët.

“Në rastet e raportimit merret me një seriozitet të shtuar nga ana e Policisë dhe mund të deklarojmë lirisht që kemi një përgjigje të mirë të Policisë në rastet e kërcënimit ndaj gazetarëve, por pastaj nuk qëndron mirë pjesa e Prokurorisë dhe posaçërisht pjesa e Gjykatës”, tha ai. 

Ky është viti i pestë që asociacionet e gazetarëve nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova dhe Serbia, me mbështetje të Komisionit Evropian monitoruan zhvillimin e lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në vendet e tyre.

Lexo edhe

Video