Kjo është rezoluta e miratuar sot në Kuvend për ndalimin e referendumit serb

Kjo është rezoluta e miratuar sot në Kuvend për ndalimin e referendumit serb

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot me 76 vota për rezolutën për ndalimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.

Përkrahje rezolutës i dhanë edhe dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Më poshtë është teksti i plotë i rezolutës që mori miratimin e Kuvendit të Kosovës.

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me kushtetutën, dhe ligjet e Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria dhe institucionet gjegjëse të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre për të mos lejuar cenimin e sovranitetit dhe rendin kushtetuese të Republikës së Kosovës nga mbajtja e referendumit të një shtetit të huaj në territorin e Republikës së Kosovës.  


3. Kuvendi rithekson përkushtimin e Republikës së Kosovës për të garantuar dhe mbrojtur të  gjitha të drejtat e shtetasve të Republikës së Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet.

4. Në këtë frymë Kuvendi i Republikës së Kosovës vë në pah të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare. Në rastin konkret të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë edhe shtetësinë e Serbisë iu garantohet e drejta të votojnë përmes postës, apo zyrës ndërlidhëse në Kosovë.

5. Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit për referendumin e Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, sikundër përfshirja e grupacioneve apo strukturave ilegale në një organizim të tillë përbënë shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare.

6. Kuvendi shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serb të Kosovës në shërbim të politikave të veta armiqësore kundër Republikës së Kosovës.

7. Kuvendi i Republikës së Kosovës mirëpret qëndrimet e prera të Bashkësisë ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë dhe pret mbështetje për të drejtat legjitime dhe qasjen parimore të Republikës së Kosovës, meqë vetëm duke trajtuar në mënyrë të barabartë gjitha shtetet e rajonit garantohet stabiliteti, demokracia dhe fryma euroatlantike e rajonit tonë. Gjithashtu, kërkon nga qeveria të vazhdojë bashkërendimin me partnerët strategjik të Kosovës në interes të ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe sovranitetit shtetëror.

8. Kuvendi i Republikës së Kosovës mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin e tij për mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues, si dhe të drejtave kushtetuese të të gjitha qytetarëve të saj. Si dhe avancimin e demokracisë dhe agjendës euro-antalinke në rajonin tonë.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.