Kiqina: Jemi përcaktuar për t’ia kthyer qytetarit dinjitetin e nëpërkëmbur

Kandidati për kryetar të Drenasit, Fejzi Kiqina thotë se është përcaktuar që të vihet në shërbim të qytetarëve. Sipas tij, me qeverisjën e deritanishme nuk kanë qenë të gjithë të barabartë. Kandidati i LVV-së ka premtuar ujë të pijes, trajtim të ujërave të zeza, proces transparent dhe meritor në konkurse publike. Po ashtu, ai u zotua edhe për sistem më të mirë arsimor dhe mbështetje të të gjitha grupeve shoqërore.

Ai në prezantimin e programit qeverisës në një tubim elektoral në Drenas, u shpreh se nuk do ua bëjnë qefin keqpërdoruesve, por më 17 tetor do të ndëshkohen me votë.

Më tej, shtoi se komuna është larg nga ajo që duan, sepse siç tha ai për kohën më të gjatë është bërë rruga e shkurtër.

“Me mundësitë më të mëdha është bërë punë më e vogël. Me përkushtimin dhe angazhimin e shumicës, kanë përfituar vetëm disa. Në barazinë e demokracisë disa ishin më të barabartë se tjerët. Prandaj, ne jemi përcaktuar të vihemi në shërbim të qytetarëve, të marrim përgjegjësi për të shtyrë përpara punët e lëna pezull tash e shumë vjet. Për t’i identifikuar e sanuar problemet e qeverisjes së kaluara, për t’ia kthyer qytetarit dinjitetin e nëpërkëmbur, për të shndërruar institucionin që ofroj zgjidhje, drejtësi e barazi për qytetarët”, ka thënë ai.

Për herë të parë në Drenas, Kiqina tha se do të hartohet plani i mobilitetit. Sipas tij, programi qeverisës i LVV-së, siguron zhvillim ekonomik lokal.

Epër të zgjidhur përfundimisht problemin me ujëra të zeza, ai tha se kanë paraparë ndërtimin e impiantin për pastrimin e tyre me kosto prej 12 milionë euro.

“Sigurimi i ujit të pijes, trajtimi i ujërave të zeza, proces transparent dhe meritor në konkurse publike, plani i mobilitetit dhe infrastruktura rrugore, shëndetësi primare, përkrahje për fermerët dhe veprimtari biznesore, janë prioritet tona në mandatin katër vjeçar. Gjithashtu në qeverisjen tonë do të përqendrohemi në meritokraci në prokurim, rregullimin e shtratit të lumit “Drenica”, përkrahja e klubeve dhe sportistëve të Drenasit, përkrahje për biznese, sidomos bizneset e reja sidomos ato në pronësi të grave të të rinjve”, ka premtuar ai.


Në këtë tubim elektoral, Kiqina ka theksuar se do të përqendrohen edhe në krijimin e parqeve dhe vendeve rekreative dhe themelimin e kompanisë për pastrimin e mbeturinave.

“Ne do të ngrisim përformancën në arsim përmes depolitizimit të sistemit arsimor, përmirësimit të infrastrukturës në shkolla. Identifikimit dhe mbështetjes për nxënësit të talentuar dhe trajtimit të veçantë të atyre me ngecje në mësim-nxënie. Trajnime të vazhdueshme për mësimdhënësit, pajisjes së shkollave me kabinete laboratorë bashkëkohorë. Do ta bëjmë ndërtimin e dy çerdheve, njëra në Drenas e tjetra në Komoran. Kapaciteti i tyre do të jetë nga 75 fëmijë, ndërsa vlera e investimeve të dy çerdheve do të jetë rreth 900 mijë euro”, ka shtuar ai.

Për shërbime më cilësore shëndetësore, Kiqina ka premtuar edhe ndërtimin e QKMF-së së re në Drenas.

“Në mënyrë që të rrisim cilësinë e shërbimeve mjekësore, ne do të ndërtojmë objektin e ri të QKMF-së në Drenas, i cili do të ketë një kosto rreth 3,5 milionë euro. Ndërsa, në fshatra do të investojmë në ndërtimin apo renovimin e QMF-ve. Do të përmirësojmë menaxhimin jo vetëm në QKMF, do të kemi staf të mjaftueshëm mjekësor”, u shpreh ai.

E deputetja Shqipe Selimi ka bërë thirrje për përkrahjen e Fejzi Kiqinës në këtë kandidaturë.

“Drenica meriton të udhëhiqet nga familja e nderuar e Rasim Kiqinës, konkretisht nga vëllau i tij, Fejzi Kiqina, të cilët kanë ditur të dëshmojnë për atdhedashurinë në luftë por edhe në paqe… Ju bëjë thirrje që të nis ndryshimi që nga sot e tutje, Drenica dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet të bëhen një, të lidhen sikur Drenica, si Lëvizja duhet të quhen një. Pra, duhet të ndryshojnë e tërë Kosova bashkë me ne, bashkë me Fejzi Kiqinën”, ka thënë ajo.

Në programin qeverisës të LVV-së në Drenas, është edhe ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës, ku do të përfshihet kinemaja, muzeu, biblioteka, teatri dhe galeria me vlerë rreth 6 milionë euro.

Lexo edhe

Video