KIPRED: Të mobilizohet Qeveria, Serbia mund të punojë bashkë me Rusinë në fushatën për çnjohjen e Kosovës

Pas përfundimit të moratoriumit një-vjeçar qw ndalonte aplikimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe fushatën e Serbisë për çnjohjen e Kosovës, Rusia mund të ndihmojë Serbinë në fushatën kundër njohjeve të reja, por edhe çnjohjeve.

Kështu u tha në një konferencë për media me rastin e publikimit të raportit “Observeri i Kosovës: Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial, 1 qershor – 15 gusht, 2021” nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), me ç’rast iu bë thirrje institucioneve shtetërore që të bashkohen në luftën kundër propagandës ruse.

Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, tha se Kosova nuk ka politikë dhe reagime proaktive karshi propagandës ruse, teksa shtoi se e vetme nuk e ka fuqinë që të angazhohet në këtë luftë. Derisa apeloi Presidencën dhe Qeverinë që së bashku të angazhohen në luftën kundër propagandës ruse.

“Tani Kosova gjendet në një moment shumë të rëndësishëm në luftën diplomatike të Rusisë kundër Kosovës. Ky momentum është krijuar pas përfundimit të marrëveshjes për moratorium të  Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, dhe të fushatës së Serbisë për çnjohjen e Kosovës, dhe kjo përputhet me hapjen e Sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ky moment mund të shfrytëzohet nga Serbia për të punuar bashkërisht me Rusinë për të zbatuar fushatën agresive për çnjohjen e Kosovës gjatë zhvillimit të këtij sesioni dhe menjëherë pas tij”, tha ai.

Peci theksoi se analizat e 10 deklaratave, të konferencave për shtyp, artikujve dhe të dokumenteve të tjerë të establishmentit të politikës së jashtme ruse, të plasuara nga 1 qershori deri më 15 gusht 2021, tregojnë qartë vazhdimësinë e synimeve të narrativeve për t’i gërmuar themelet e shtetësisë së Kosovës.


Ndërsavlerësoi si shumë të dëmshme heshtjen e institucioneve karshi propagandës ruse, duke thënë se mungesa më e madhe e kapaciteteve në këtë luftë është në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Është e domosdoshme që qeveria e Kosovës ta shfrytëzojë këtë rast dhe t’iu drejtohet anëtarëve të OKB-së me një dokument të përshtatshëm që iu kundërvihet narrativeve ruse dhe serbe kundër shtetësisë të Kosovës dhe sovranitetit të saj. Po ashtu, është rast i mirë që të bëjë fushatë edhe për njohje të mëtejshme, mirëpo kjo fushatë vështirë që mund të funksionojë pa përkrahjen e aleatëve tonë dhe këtë e di nga përvoja kur kam qenë ambasador”, tha ai.

Ai tha se në secilin institucion do të duhej të kishte individ të angazhuar në luftën diplomatike ruse ndaj Kosovës.

“Mungesa më e madhe e kapaciteteve është në estabilshmentin e politikës së jashtme, ata që duhet të veprojnë ndaj Rusisë. Në këtë aspekt dua të theksoj që në Ministrinë e Jashtme nuk ekziston desku për Rusinë, nuk ka asnjë person që merret në baza ditore me politikën ruse ndaj Kosovës dhe po ashtu nuk ka fare koordinim mes Presidencës e Kryeministrisë, po ashtu as në këto nuk ka ndonjë person që merret në mënyrë sistematike me luftën diplomatike ruse ndaj Kosovës”, tha Peci.

Observeri i Kosovës: Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial – është një raport tremujor që synon t’i analizojë deklaratat publike dhe publikimet të establishmentit të politikës së jashtme të Rusisë, dhe veçoritë e lajmeve që përmbajnë dezinformata dhe keqinformim që kanë për shënjestër Kosovën, të publikuara nga mediat ruse në gjuhën angleze dhe serbe.

Lexo edhe

Video