Kidnapohet një person në Zubin Potok, dyshohet se rrëmbyesit janë spiunë serbë

 Kidnapohet një person në Zubin Potok, dyshohet se rrëmbyesit janë spiunë serbë

Mirko Velimiroviq nga Zubin Potoku, është rrëmbyer natën mes të enjtes dhe të premtes nga disa persona në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, ndërsa burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se dyshohet që kidnapuesit ishin agjentë të BIA-s dhe pjesëtarë të xhandarmerisë serbe.

Velimiroviq është i njohur si njëri nga dëshmitarët kyç të prokurorisë speciale të Malit të Zi në procesin gjyqësor të komplotit për grusht shtet në këtë vend gjatë zgjedhjeve parlamentare më 2016, ku ishte planifikuar vrasja e kryeministrit të atëhershëm Millo Gjukanoviq.

Në bazë të dëshmisë së tij, më shumë se 13 persona, shtetas serbë e rusë, u shpallën fajtorë dhe morën shumë vite burgim, në mesin e të cilëve edhe ish komandanti i xhandarmerisë serbe, Bratisllav Dikiç.

Velimiroviq ishte një kohë edhe nënkryetar i Lëvizjes ‘Ravna Gora’ për Kosovë.

“Gjithsej pesë persona kanë rrëmbyer Mirko Velimiroviqin, pasi kishte dalë nga kafeneja ‘Kod Tineta’ në fshatin Varagë të enjten pas mesnatës. Njëri nga rrëmbyesit ishte Dragan Dikiç, pjesëtar i xhandarmerisë serbe në Novi Sad, njëherësh vallai i ish komandantit të xhandarmerisë Bratisllav Dikiç, dhe të dënuarit në rastin ‘Grushtet në Mal të Zi’. Viktima ka tentuar të rezistojë fizikisht, por pa sukses, ndonëse edhe kishte pirë alkool atë natë. Rrëmbyesit ia kanë marrë viktimës edhe automjetin e markës Mercedes dhe së bashku me të kanë ikur në drejtim të panjohur”, kanë thënë burime të sigurta të KosovaPress-it nga kjo zonë.


Sipas këtyre burimeve, është e sigurt se viktima është kidnapuar nga agjentë e xhandarë serbë, dhe është dërguar në Serbi.

Ndërkaq, disa media të Serbisë të afërta me pushtetin, kanë publikuar  lajmin se MirkoVelimiroviq është arrestuar të martën nga pjesëtarë të Agjencisë ushtarake të sigurisë në qytetin e Krushevcit. Sipas këtyre mediave, gjatë arrestimit, atij i janë gjetur në pronësi një armë automatike dhe dy revole, me ç’rast i apostrofuari është dërguar në paraburgim për shkak se ka kryer vepërën penale ‘mbajtje në posedim dhe tregëti me armë’. Nuk precizohet vendi saktë ku është dërguar në paraburgim.

Në anën tjetër, KosovaPress-i ka provuar të flaës me ndonjërin nga familjarët e Velimiroviqit për rastin, por pa sukses, ndërsa ka arritur të kontaktojë me njërin prej miqëve shumë të afërt të tij, emri i të cilit është i njohur për redaksinë.

“Jo, nuk di gjë, vërtetë nuk di.. Por ajo që shkruan në mediat serbe nuk është e saktë”, ka thënë shkurt dhe mjaft i drojtur përmes telefonit ai.

Agjencia e Pavarur e Lajmeve KosovaPress, ka kontaktuar të martën edhe me zëdhënësin e policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq rreth këtij rasti, përkatësisht nëse është rrëmbyer ndonjë person, ose dikush ka paraqitur rastin në polici për zhdukjen e familjarit të tyre, por deri në këto momente kur po raportojmë, nuk është kthyer ndonjë përgjigje.

Ndryshe, KosovaPressi kishte raportuar një javë më parë për hyrjen në veriun e Kosovës të rreth 25 pjesëtarëve të strukturave të larta të sigurisë së Serbisë, duke përfshirë agjentë të Agjencisë së Inteligjencës (BIA) dhe eprorë të lartë të xhandarmërisë serbe.

Lexo edhe

error: