Doarsa Kica Xhelili, deputete në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka thënë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është duke i shkelur me të dyja këmbët rekomandimet e Këshillit të Evropës.
“Është interesante që ministrja po i referohet një institucioni të Këshillit të Evropës, duke iu referuar si një institucion i lartë, në këtë rast Komisionit të Venecias, sepse befasia e saj vjen si rezultat që përderisa Komisioni i Venecias ka bërë të gjetura dhe qëndrim tjetër, tani Gjykata Kushtetuese ka tjetër. Por çka s’duhet të harrojmë është se ministrja e njëjtë po i shkel me të dyja këmbët rekomandimet e Këshillit të Evropës lidhur me gjuhën që guxon ekzekutivi ta përdorë karshi vendimeve gjyqësore me këto që po thotë”, ka thënë Kica.
Ajo tha se nuk ka dëgjuar në asnjë rast se Komisioni i Venecias është njoftuar se për momentin procesi i emërimit të kryeprokurorit po bllokohet nga një institucion shtetëror.
“Kur del ministrja dhe flet për rekomandimet e komisionit të Venecias, nuk duhet të harrojë që ka një pjesë të informacionit që ose nuk ka rastisur të diskutohet, ose i janë përmbajtur informacionit qëllimshëm dhe natyrshëm që Komisioni i Venecias nuk mund të aludojë se çka ka shtesë”, përfundoi ajo./Klan Kosova