“KFOR-i mos të merr përgjegjësi për menaxhimin e kufijve”

Një numër më i vogël i pjesëtarëve të njësisë speciale duhet të qëndrojë në veri për të siguruar pikat kufitare dhe implementimin e vendimit të qeverisë për tabelat e automjeteve ndërsa KFOR-i të vendosë patrulla në rrugë por jo të marrë përgjegjësinë e pikave kufitare. Kështu ka thënë se drejtori i Grupit të Ballkanit për Politika, Naim Rashiti.

Ai vlerëson se Kosova nuk duhet të qëndrojë gjatë në një situatë tillë pa zgjidhje të problemeve që janë shfaqur pas fillimit të zbatimit të reciprocitetit për tabelat.

Në një intervistë për KosovaPress, Rashiti thotë se Qeveria e Kosovës duhet të negociojë me përfaqësuesit amerikan, brenda KFOR-it që të vendoset kontroll më i mirë i vijës së gjelbër.

“Vazhdimi i situatës së tillë e dëmton imazhin e Qeverisë, e shpërfaq paaftësinë për të menaxhuar një situatë të tillë për të implementuar politikat e veta dhe që jemi në një situatë ku Kosova nuk mund të jetë, ose pjesë të saj, elemente të situatave jostabile përkundër faktit që Kosova nuk është fajtore, në asnjë rrethanë sa i përket çështjeve me Serbinë nuk ka qenë, dhe mos të bëjmë hapa prapa, kjo është e rëndësishme që mos të kthehemi në situatë ku KFOR-i, si strukturë merr përgjegjësi për të menaxhuar kufij të Kosovës sepse atëherë do të kthehemi një hap prapa”, thotë Rashiti.

Ai shton se duhet të bëhet një plan për implementimin e marrëveshjes për reciprocitetin e tabelave të automjeteve.

Një njësi e vogël speciale në veri në pikat kufitare për të siguruar sigurinë e pikave kufitare dhe implementimin, ndërsa brenda të ulet të bëhet një plan për implementimin e pajisjes me tabela…KFOR-i mund të jetë andej por KFOR-i nuk duhet të marrë përgjegjësinë e pikave, KFOR-i mund të vendosë patrulla rrugëve, KFOR-i mund të vendosë patrulla vijës së gjelbër dhe Policia e Kosovës duhet të kërkojë me ngulm që të jetë pjesë e këtyre operacioneve sepse në vijën e gjelbër me Serbinë në veri KFOR-i ka autoritet ekzekutiv”, thotë ai.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin e targave për automjetet serbe që hynë në territorin e Kosovës, ka nxjerrë në rrugë disa serbë të veriut të cilët, më mbështetjen e Beogradit zyrtar, kanë bllokuar rrugët që të dërgojnë në kufirin Jarinje dhe Bërnjak.

Lidhur me këtë problem, kryenegociatori i Kosovës dhe ai i Serbisë po zhvillojnë takime në Bruksel.

Por Rashiti vlerëson se takime të tilla është dashur të zhvillohen në nivel të ministrive, agjencive e ekspertëve, meqë siç thekson ai, do të ulej presioni politik dhe do të kërkohej zgjidhje praktike. 

“Në gjykimin tim është dashur që fillimi i takimit të parë të jetë nivel më teknik, për të diskutuar për tabela e jo barrikada dhe polici, këtu e kam qëllimin, por sido që të jetë, çfarëdo që të ndodh sot e nesër dialogu e takimet në çdo nivel duhet të vazhdojnë për të kërkuar zgjidhje, nuk bën të qëndrojmë në situatën çfarë është…Por gjykoj që për çështje të tilla teknike duhet të ketë nivele edhe më të ulëta, profesionale, ekspertëve, të ministrive, sektorëve, agjencive, që edhe ulet presioni politik por edhe kërkohet zgjidhje praktike në kuadër të kornizës politike, qëndrimeve politike që secila palë i ka”, thotë ai.

Rashiti thotë se duhet të ketë përpjekje intensive për të gjetur zgjidhje në këtë situatë, që sipas tij, nevojitet depolitizim maksimal i këtyre zhvillimeve dhe vendosja e tyre në nivel teknik.

“Të vendosë një ekip teknik në Bruksel, të gatshëm për të negociuar procesin e implementimit dhe për të kërkuar zgjidhje, depolitizim maksimal i këtyre zhvillimeve, vendosja e tyre në nivel teknik të implementimit dhe negocimit. Kjo do ta ndihmonte Kosovën të duket shumë më serioz në proces të implementimit të marrëveshjes”, thotë ai. 


Ani pse jo me të drejtë, Serbia do të vazhdojë të provojë Kosovën dhe faktori ndërkombëtar do të jetë i balancuar, thotë drejtori i Grupit të Ballkanit për Politika.

“Serbia do të vazhdojë të provokojë, Serbia ndjehet shumë më e fuqishme se vitin e kaluar, më e fuqishme se një vit më herët dhe gjithnjë e më e fuqishme, Serbia do të vazhdojë të sillet në mënyrë arrogante, faktori ndërkombëtar do të vazhdojë të jetë i balancuar, reagimi i KFOR-it ka ardhur falë prezencës së ambasadorit rus në kufi, përndryshe do të kishte qenë shumë inert, prapa skenës po bëhen përpjekje e presion shumë i madh, jo vetëm në Qeverinë e Kosovës, por edhe në Serbinë, për të gjetur zgjidhje dhe i kërkohet troç Vuçiqit që të pranojë tabelat, të pranojë marrëveshjet me Kosovën, por nuk kemi më diskurs si vitet e më hershme, publik,- të bashkësisë ndërkombëtare në raport me Serbinë, nuk kemi një qasje më agresive të nevojshme të BE-së apo NATO-s, me Serbinë, ky është realiteti i ri dhe do të vazhdojë të jetë kështu…Politika kosovare duhet ta ketë parasysh këtë, duhet të këndellet pak e të kuptojë realitetin që nuk do të kërcënojë më NATO Serbinë, shih Malin e zi, anëtar i NATO-s është çka ndodhi, andaj duhet mobilizohen institucionet, duhet politikisht të kujdesshëm e administrativisht të fuqishëm për të arrit qëllimet e veta”, thotë drejtori i Grupit të Ballkanit për Politika.

Rashiti thotë se zgjidhja dhe shtensionimi i situatës në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, është në të mirë të Kosovës por një gjë të tillë shton se duhet ta bëjë pa u tërhequr nga implementimi i marrëveshjeve dhe kërkesave që ka.

Megjithatë, Rashiti vlerëson se ekzekutivi do të duhej që dy muaj më herët të vendoste në pikat kufitare njoftim për zbatimin e masës së reciprocitetit.

“Kisha bërë një fazë tjetër të procesit të vendosjes së reciprocitetit, dy muaj më herët kisha vendosë njoftimin në kufi se nga kjo datë nuk do të lejohen, kisha shpërndarë fletushka, kisha bërë fushatë me i informu qytetarët në veri që duhet t’i ndërrojnë tabelat, kisha emëruar një ekip teknik të Ministrisë së Brendshme dhe pushtetit lokal për të lehtësuar procesin e doganimit regjistrimit të veturave që operojnë ilegalisht në veri, kisha njoftuar organet përgjegjëse për çdo hap dhe kisha dërgu njerëzit përgjegjës të dialogut teknik në Bruksel për të negociuar për mbylljen e marrëveshjeve të kaluara, tabelat, IBM,  sepse janë shumë të ndërlidhura, ne mund ta zgjidhim përkohësisht çështjen e tabelave por kemi prapë problem me kufirin, kemi prapë pengesa në kufi, prapë do të na shfaqen vonesa ose elemente të shantazhit që do të na bëjë Serbia në kufi, për qytetarët e Kosovës, për diasporën e kështu me radhë, është më komplekse sesa kaq”, thotë Rashiti.

Ai vlerëson se përveç çështjes me tabelat e automjeteve, duhet menjëherë të zhvillohet dialog për çështje të tjera të marrëveshjeve të zbatuara në mes të Kosovës dhe Serbisë siç është ajo për menaxhimin e integruar të kufirit.

Drejtori i Grupit të Ballkanit për Politika, Naim Rashiti thotë se Kosova duhet të ketë një qasje më proaktive në dialogun me Serbinë.

“Kosova duhet të veprojë në tri aspekte, aspektin e parë ndërtimin e një marrëdhënie më të mirë më të fuqishme me vendet e BE-së dhe BE-në, një qasje shumë portative në dialog me Serbinë e cila do të përfshinte dialogun për implementimin e marrëveshjeve dhe një dialog të fuqishëm intensive për një kornizë të dialogut final dhe e katërta është që Kosova të rrisë prezencën maksimale në iniciativa rajonale, që të jetë sa më e zëshme dhe fuqishme në iniciativa rajonale në gjithë Evropën Juglindore ashtu që të ndjehet rritja e prezencës së Kosovës dhe BE”, thotë Rashiti

Sipas tij, do të duhej të punohej fuqishëm politikisht për kornizën e re finale të dialogut me Serbinë.

“Në këtë situatë që ndodhemi kemi përshtypjen që jemi në një gjysmë dialogu, një fazë të paqartë të dialogut dhe besoj që përveç qeverisë që kanë mbështetje të fuqishme politike, e që besoj që do ta ketë edhe mbështetjen e akterëve kryesor opozitar, për një dialog intensiv me Serbinë, ka një mirëkuptim në Kosovë që nuk duhet të pritet shumë, duhet të punohet masivisht për ta përmbyllë dialogun, duhet të ketë hapa konkret. Kosova kur ka filluar dialogun ka qenë e pozicionuar lart e Serbia posht, tani kemi ndërruar pozicion, Kosova shihet si problematike në dialog, Kosova shihet si pengesë, është parë me vite si pengesë në dialog, si dikush që nuk i implementon marrëveshjet, Kosova shihet e papërgatitur në dialog, duhet të ndërrojë kjo, asnjëherë duke mos mohuar dështimin e bashkësisë ndërkombëtare në këtë temë, assesi, të BE-së në veçanti por të gjithë akterëve, por ky është realitet, është shumë vështirë të ndërrojmë realitetin gjeopolitik”, thotë ai.

Rashiti vlerëson se vendet mund të ndodhen në situatë edhe më të pafavorshme për një marrëveshje të mundshme, duke përmendur këtu palën serbe që sipas tij është gjithnjë e më agresive në dialog.

Sipas tij, nevojitet vendim strategjik për drejtimin e dialogut se me çfarë parametrash të kompromisit të marrëveshjeve do të shkohet në këtë dialog.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.