Këtë javë pritet të vendoset për fatin e noterëve

Ministria e Drejtësisë pritet që gjatë kësaj jave të vendosë se si do të veprojë me procesin e emërimit të noterëve. Në lidhje me këtë çështje, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se ka në plan që ta kthejë në pikën zero.

Haxhiu, në një intervistë për KosovaPress, deklaroi se fillimisht do të shqyrtojë bazën ligjore pasi që nuk dëshiron që menjëherë të veprojë me arbitraritet.

“Unë kam në plan që procesi i noterisë të anulohet dhe të kthehet në pikën zero. Këtu janë dy shqetësime e para fitimi i të drejtës individuale ata të cilët e kanë kaluar provimin e noterisë do të mund që të ankoheshin në gjykatë tek departamenti administrativ, por unë besoj që as noterët e mirë brenda asaj liste, sepse ka edhe të tillë që kanë kaluar me meritokraci, nuk po them se e gjithë lista prej atyre personave kanë kaluar provimin me baza nepotiste familjare, partiake, por po them se as atyre të mirëve brenda asaj liste nuk u intereson që të dalin nga një proces i komprometuar i noterisë. Ne jemi duke parë vetëm bazën ligjore në mënyrë që mos të bëjmë ndonjë shkelje eventuale”, thotë Haxhiu.

Por, sipas njohësve të sistemit të drejtësisë, në këtë fazë është herët të vlerësohet se a duhet i gjithë procesi të kthehet në pikën zero apo jo.

Betim Musliu nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se në procesin e zgjedhjes së noterëve ka pasur veprime që e kanë cenuar integritetin e këtij procesi, prandaj sipas tij zgjidhja më e mirë do ishte që fillimisht të shikohet në tërësi ligjshmëria e këtij procesi.

“Ky integritet i këtij procesi nuk siguron besimin e publikut që nesër punon, që do e bëjnë këta noterë do të jetë e bazuar në ligj. Edhe sot po kërkojmë nga ministrja Albulena Haxhiu që ta rishikojë në tërësi ligjshmërinë e këtij procesi. Dhe në përfundim të këtij vlerësimi të procesit të ligjshmërisë, cilido që të jetë rezultati të ndërmerren hapa në kuadër të mandatit të saj që ta kthejë thjesht këtë proces në bazë të ligjit dhe që ta fitojë ky proces besimin e publikut. Nëse është përfundimi që duhet të kthehet në pikën zero duhet të kthehet në pikën zero. Nëse është ndonjë fazë që duhet të eliminohet duhet të eliminohet ajo fazë. Cilido që do jetë vlerësimi që do të dalë nga procesi i ligjshmërisë së këtij procesi duhet të pasohet me veprime nga ministrja”, tha ai.

Ai thekson se pa u bërë vlerësimet e nevojshme ende është herët të parashikohet se a duhet të kthehet në pikën zero apo jo.


“Në këtë fazë është herët që të vlerësohet a mund apo nuk kthehet në pikën zero një proces i tillë sepse është fakt se janë një mori e kandidatëve aty që ndoshta në mënyrë meritore e kanë kaluar të gjitha fazat, dhe në njëfarë forme e kanë fituar një të drejtë, prandaj edhe marrja e kësaj të drejte të fituar mund të ketë pasoja për ta. Por po them pa e parashikuar asnjë aspekt të këtij procesi por duke e vlerësuar si proces të cenuar me integritet konsiderojmë dhe kërkojmë që ky proces të rivlerësohet dhe të rishikohet ligjshmëria e tij”, u shpreh Musliu.

Gjatë javës së kaluar kanë qarkulluar informacione që për procesin e zgjedhjes së noterëve Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet fillestare.

Por në një përgjigje me shkrim nga zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Luftiu nuk e mohoi por as pohoi se Prokuoria ka në duar një çështje të tillë.

“Prokuroria nuk i mohon e as pohon rastet e tilla”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për KosovaPress.

KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri por që nuk ka pranuar të flasë.

Kujtojmë që Ministria e Drejtësisë, e udhëhequr nga Abelard Tahiri, më 23 korrik të vitit të kaluar kishte hapur konkurs për 79 pozita të lira për noterë në 35 komuna të Kosovës.

Mirëpo që nga shpallja e konkursit e deri te emërimi i noterëve ky proces është përballur me kritika të shumta nga shoqëria civile edhe nga bashkësia ndërkombëtare, të cilët kanë dhënë vërejtje për kriteret jo të drejta të vëna nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës.

Shoqëria civile madje ka vlerësuar se pas dhënies së dorëheqjes së ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj nga ky post në korrik të vitit të kaluar, ministri i Drejtësisë në largim, Abelard Tahiri nuk kishte më legjitimitet për ta proceduar tutje emërimin e noterëve të rinj. Ndër të tjera, ata kanë theksuar se emërimi i noterëve është duke u bërë mbi baza partiake e familjare.

Lexo edhe

Video