Këshilli i Evropës ndërpret marrëdhëniet me Bjellorusinë

Këshilli i Evropës ndërpret marrëdhëniet me Bjellorusinë

Këshilli i Evropës njoftoi sot se ka ndërprerë marrëdhëniet me Bjellorusinë për shkak të pjesëmarrjes aktive të vendit në pushtimin rus të Ukrainës.

Organi ekzekutiv i Këshillit të Evropës, Komiteti i Ministrave, “vendosi sot të pezullojë të gjitha marrëdhëniet me Bjellorusinë. Komiteti i Ministrave pezullon të drejtën e Bjellorusisë për të marrë pjesë në të gjitha takimet dhe aktivitetet e organizatës”, thuhet në deklaratën në faqen e internetit të Këshillit të Evropës.

Bjellorusia nuk është anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, sepse nuk ka nënshkruar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.


Vendi bashkëpunoi me organizatën, si nënshkrues i 12 konventave të iniciuara nga Këshilli i Evropës, veçanërisht Konventa për Veprimin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Konventa Kulturore Evropiane dhe Konventa për Ruajtjen e Kafshëve të Egra në Evropë.

Bjellorusia është gjithashtu anëtare e katër marrëveshjeve të pjesshme, të cilat nuk kanë statusin e marrëveshjeve ndërkombëtare, por ofrojnë një formë bashkëpunimi në tema të caktuara.

Minsku zyrtar ka marrë pjesë gjithashtu në punën e Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit dhe Komisionit të Venecias, një grup këshillues që u jep shteteve opinione ligjore për projektligje ose ligjet tashmë në fuqi.

Vendimi i Këshillit të Evropës për Bjellorusinë vjen një ditë pas përjashtimit të Rusisë nga anëtarësimi në këtë organizatë. Pjesëmarrja e Rusisë në organet kryesore të Këshillit të Evropës u pezullua për herë të parë më 25 shkurt, një ditë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

Lexo edhe

Video