Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban takimin e fundit për këtë vit

Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban takimin e fundit për këtë vit

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka mbajtur sot takimin e fundit për këtë vit, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Anëtarët e KGjK-së, në mbledhjen virtuale për shkak të masave antiCOVID-19, aprovuan njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK, për pensionimin e një gjyqtari në Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe morën vendim për hyrjen në vlerësimin e performancës së gjyqtarëve për vitin 2021.

Gjatë këtij takimi, u shqyrtua kërkesa e kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha, lidhur me kthimin e gjyqtares Nushe Kuka Mekaj në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Pejë, e cila është transferuar përkohësisht në Gjykatën Themelore Prishtinë, ku Këshilli do të kërkojë edhe pëlqimin/mendimin e gjyqtares Nushe Kuka Mekaj për këtë çështje.

Po ashtu, Këshilli shqyrtoi dhe aprovoi draft Memorandumin e bashkëpunimit në mes të KGjK-së Fakultetit Juridik të Universitetit Publik të Mitrovicës si dhe propozimin e kryetarit të Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK), për emërimin e përfaqësuesit të KGjK-së në Gjyqin e Nderit të OMK-së, gjyqtaren, Halide Reka.


KGjK në këtë takim, shqyrtoi ankesën e gjyqtares Liridona Haziri në Gjykatën Themelore Gjilan dhe lidhur me ketë, anëtarët u pajtuan që çështja t’i kthehet kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan për rishqyrtim.

Në bazë të kërkesës së Kuvendit të Kosovës për caktimin e tre anëtarëve të Organit Përzgjedhës të Pavarur, Këshilli caktoi gjyqtarët Shukri Sulejmani, gjyqtar në Gjykatën Supreme dhe Milena Xheriq, gjyqtare në Gjykatën e Apelit, dhe Luljeta Maxhuni, gjyqtare në Gjykatën Themelore Prishtinë, të cilët do të emërohen nga Kuvendi për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, gjyqtarët Lutfi Shala, Mentor Bajraktari, Vesel Ismajli, Suzana Çerkini, Kujtim Krasniqi dhe Violeta Namani. Për Gjykatën e Apelit – Departamenti Special janë caktuar: Afërdita Bytyçi, Bashkim Hyseni dhe Tomislav Petroviq.

Meqë kryetarët e gjykatave Afërdita Bytyçi dhe Bashkim Hyseni tani më janë caktuar në Departamentin Special, Këshilli ka caktuar gjyqtarin Arben Hoti, ushtrues detyre i kryetarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe gjyqtarin Sahit Krasniqi, u.d. i kryetarit në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Për Gjykatën e Apelit janë caktuar gjyqtarët: Zyhdi Haziqi, Beqir Kalludra dhe Azra Cakolli. Të gjithë këta gjyqtarë do të fillojnë punën më datë 01.01.2021, thuhet në një komunikatë për media.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.