Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

KESCO dhe “Qatar Charity” arrijnë marrëveshje për pagesën e energjisë elektrike për 866 familje jetimësh

KESCO dhe “Qatar Charity” arrijnë marrëveshje për pagesën e energjisë elektrike për 866 familje jetimësh

Është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit në mes të KESCO-s dhe “Qatar Charity” për subvencionimin e energjisë elektrike për 866 familje jetimësh, në vlerë totale 287 mijë euro.

Zëvendësministri i Financave dhe i Punës, Ilir Kapiti duke falënderuar këtë organizatë, tha se e çmojnë kontributin e kësaj organizate për Kosovën, dhe shpreson që shteti i Katarit ta mbështesë vendin tonë edhe për rimëkëmbje ekonomike.

“Në emër të Ministrisë së Financave ju falënderoj për kontributin që po jepni për një shtresë të atyre që janë më së shumti të margjinalizuar. Ne e çmojmë kontributin tuaj që jeni duke dhënë dhe shpresojmë se marrëdhëniet tona do të vazhdojnë sidomos në rastin e rimëkëmbjes ekonomike e cila së shpejti do të shpaloset para palëve të ndryshme”, theksoi Kapiti.

Për pagesën e energjisë elektrike për këto familje, Nawaf Al- Hamad nga “Qatar Charity” theksoi se janë të lumtur që po arrijnë një marrëveshje nga e cila përfitojnë gati 900 familje.

“Pjesëmarrja jonë sot për të nënshkruar këtë marrëveshje nga e cila përfitojnë gati 900 familje është një vazhdim i një sërë projektesh të cilat ‘Qatar Charity’ ka zhvilluar në Kosovë prej vitesh. Ne jemi të lumtur që kemi pasur mundësinë të ofrojmë ndihmën tonë për vëllezërit dhe miqtë tanë në Republikën e Kosovës”, theksoi ai.  


Drejtori i furnizimit në KESCO, Huseyin Özen, tha se  kjo marrëveshje do të realizohet dhe shpreson që do të ndikojë sa do pak në lehtësimin e jetës së këtyre qytetarëve.

“Dua të shpreh falënderimet e mia për Fondacionin e Katarit. Kompania jonë ka shprehur gjithmonë gatishmërinë për të bashkëpunuar me çdo institucion që ka për qëllim mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Si KESCO garantojmë se do të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha institucionet ku synimet tona të përbashkëta janë përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës”, theksoi Özen.

I pranishëm ishte edhe ambasadori i shtetit të Katarit, Ali bin Hamad i cili tha se janë të përkushtuar që marrëdhëniet dhe bashkëpunimi mes Kosovës dhe Katarit të jenë edhe më të avancuara.

“Ne jemi të përkushtuar që marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis shtetit të Katarit dhe Republikës së Kosovës t’i shtyjmë edhe më tej. Gjithashtu promovojmë edhe lidhjet vëllazërore midis popullit të Katarit dhe të popullit të Kosovës”, theksoi Hamad.

“Qatar Charity” ka realizuar shumë projekte këtu në Kosovë. Vlera totale e dhënë deri më tani është 25 milionë euro.

Lexo edhe

Video

error: