Kërkohet shkarkimi i prokurorit Ruhan Salihu dhe kryeprokurorit Kujtim Munishi

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist gjatë aksionit të mbajtur sot para Këshillit Prokurorial, kërkuan nga Këshilli Prokurorial të shkarkojë prokurorin Ruhan Salihu dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, duke i cilësuar fajtorë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

Anita Mjeku, aktiviste ka thënë se do të vazhdojnë të protestojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, derisa ka shpallur Prokurorinë dhe KPK-në si zona krimi.

“Sot ne i shpallim Prokurorinë dhe KPK-në si zona krimi. Përmes këtij institucioni mbrapa mirëmbahen neglizhentë, seksistë dhe riprodhohen prokurorë e racistë që më pas shndërrohen edhe në bashkëfajtorë të krimeve me bazë gjinore. Ne do të vazhdojmë të protestojmë deri te Këshilli Prokurorial që ta shkarkojë prokurorin Ruhan Salihu. Këshilli Prokurorial të shkarkojë kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, po ashtu Këshilli Prokurorial të kërkojë heqjen e lëndës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe kalimin tek Prokuroria Speciale e Kosovës për hetim të mëtejshëm”, tha ajo.

Sipas saj Prokuroria Themelore në Prishtinë është bashkëfajtore në përdhunimin e të miturës 11 vjeçare në gusht të 2022. Ajo tha se në qershor të po këtij viti e mitura kishte raportuar përdhunimin nga 6 burra, rast ky i cili kishte kaluar në duart e Ruhan Salihut.

Ndërsa është shprehur e shqetësuar për faktin që Ruhan Salihu është ende prokuror. Mjeku tha se Ruhan Salihu është i njohur si  Prokuror i cili neglizhon rastet, derisa përmendi edhe një rast tjetër të fëmijës 11-vjecar që kishte përfunduar me vrasje,  si pasojë e neglizhimit të institucioneve.


“Në këtë rast, Ruhan Salihu është i njohur për të gjitha ne, si prokuror i cili neglizhon rastet e krimeve seksuale kur në fjalë janë grupet e paprivilegjuara shoqërore. Ruhan Salihu ka qenë prokuror edhe në rastin e Kujtim Veselit, fëmija 11 vjeçar i cili u përdhunua dhe më pas edhe u vra si pasojë e neglizhimit të institucioneve. Në dy raste që ne i dimë ku Ruhan Salihu ka dështuar ta kryej punën e vetë, duke u bërë kështu bashkëfajtor në dhunim dhe vrasje, ai ende vazhdon të punojë i pa shqetësuar, duke paraqitur kështu rrezik të mëtejshëm për sigurinë e të gjithëve. Fakti që Ruhan Salihu ende është prokuror në Prokurorinë Themelore te Prishtinës na shqetëson tej mase dhe na bënë të hezitojmë t’i drejtohemi institucioneve publike në Kosovë”, tha ajo.

Më tej, aktivistja nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist tha se nuk mund të presin edhe një lëshim tjetër të kësaj Prokurorie. Ajo tha se në rastin e dhunimit të 11-vjecares duhet dhënë llogari kryeprokurori i prokurorisë Themelore në Prishtine, Kujtim Munishi.

“Dështimi i Prokurorisë Themelore në Prishtinë për ta trajtuar drejt rastin e së miturës dhe kapjen e kriminelëve, për ne e vë në pikëpyetje të gjithë ekzistencën dhe besueshmërinë e këtij institucioni. Trajtimi i rastit të 11 vjeçares duhet t’i hiqet nga kompetenca Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe t’i kalohet Prokurorisë Speciale, pasi që ajo ka dështuar ta kryej punën e vet e që qoi në përdhunimin e dytë të së miturës. Ne nuk mund të presim edhe një lëshim tjetër të kësaj Prokurorie, për ta ilustruar dhe më tej mos trajtimin e duhur të krimeve seksuale. Këtu duhet dhënë llogari kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi. Ky i fundit është gjithashtu përgjegjës për lëshimet e një pas njëshme të prokurorëve dhe rrezikimin e mëtejshëm të jetës së vajzave dhe grave”, tha ajo.

Grupi i përbërë nga aktivistë për barazi gjinore tha se nuk mund ta lënë ketë rast të mbetet veç një shok kolektiv tre ditor dhe asgjë më tepër, derisa shtuan se nuk ka qetësi deri sa të shohin sanksione, shkarkime dhe përgjegjësi nga Prokuroria dhe institucionet tjera.

Kujtojmë se para dy jave është mbajtur protestë masive në Prishtinë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares./E.Krasniqi/

Lexo edhe

Video