Kërkohet paraburgim për personat që sulmuan udhëheqësit e Kombinatit Trepça

Kërkohet paraburgim për personat që sulmuan udhëheqësit e Kombinatit Trepça

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për R.I., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale sulmi, si dhe për të dyshuarit e tjerë B.S., B.I., Sh.R., dhe Z.I.,  për veprat penale lëndimi i lehtë trupor dhe sulmi ndaj personit zyrtar.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit, duke qenë të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës mbi caktimin e drejtorit të ri në Trepçë, nën udhëheqjen e ish-drejtorit R.I., punëtorët janë mbledhur dhe kanë protestuar, me ç’rast i dyshuari – ish-drejtori R.I., e ka sulmuar fizikisht drejtorin e ri E.A.


Ndërsa, B.S., B.I., Sh.R., dhe Z.I., kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarit E.A., dhe B.H., të cilët kanë pësuar lëndime të lehta trupore, dhe po ashtu këta të dyshuar kanë sulmuar zyrtarët policorë që kanë ndërhyrë në këtë rast, me ç`rast zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Pesë të dyshuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit ditën e djeshme me datë 18 tetor dhe të njëjtit gjendet në ndalim 48 orësh.

Seanca për caktimin e paraburgimit për të ndaluarit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Lexo edhe

Video