Kërkesa të shumta për shërim jashtë vendit, shkak mungesa e shërbimeve mjekësore në Kosovë

Kërkesa të shumta për shërim jashtë vendit, shkak mungesa e shërbimeve mjekësore në Kosovë

Mungesa e ofrimit të disa shërbimeve mjekësore brenda institucioneve publike shëndetësore në Kosovë, ka bërë që një numër i madh i pacientëve, ato shërbime t’i marrin jashtë vendit fal programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike, duke bërë kështu që dhjetëra miliona euro të shpenzohen jashtë vendit.

Numri i atyre që kanë përfituar përkrahje financiare për t’u trajtuar jashtë vendit për vitin 2019 është 1436 pacientë, kurse vetëm në këtë fillim të vitit, financim nga programi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore të Kosovës, kanë kërkuar 152 persona. Janë edhe mijëra qytetarë që trajtimet jashtë vendi i kryen duke i mbuluar vet shpenzimet.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi i cili tha për KosovaPress, se kryesisht këto trajtime mjekësore po kryen në Turqi, Maqedoni, Shqipëri, Gjermania etj.

Plakiqi ka thënë se në këtë fillim vit pacientët me kancer dhe sëmundje të syve prijnë për nga kërkesat për trajtim jashtë vendit.

Derisa flet për numrin e madh të pacientëve që përfituan nga programi për trajtim shëndetësor jashtë institucioneve publike, drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore tregon se për shkak të investimeve në Klinikën e Kardiologjisë kanë rënë dukshëm kërkesat e pacientëve me sëmundje të zemrës.

Numri më i madh i pacientëve që në vitin 2019, kërkuan financim për trajtim jashtë vendit janë ata të Klinikës së Oftalmologjisë.

Kjo sipas drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, ka ndodhur për shkak të mungesës së aparaturës dhe mos përfshirjes së disa barnave në listës esencial.

Ai madje thotë se 6 milionë euro sa është buxheti i ndarë për programin për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore të Kosovës është në shpërputhje me kërkesat e pacientëve.


E nga zyra për informim në SHSKUK, thonë se referimet jashtë vendit kryesisht për sëmundjet për të cilat nuk ofrohet tretman në klinikat e QKUK-së.

Kjo zyre në përgjigjen me shkrim për KosovaPress, bënë të ditur se rastet e transplanteve, leukemive akute kryesisht janë ato që referohen për shërim jashtë institucioneve publike.

Në anën tjetër, shoqata për të drejtat e pacientëve zgjidhje të vetme për të ulur numrin e kërkesave për trajtim jashtë vendit e sheh nevojën për funksionalizimin e Sigurimeve Shëndetësore.

Drejtori i kësaj shoqate, Besim Kodra thotë për KosovaPress, se në Kosovë ende nuk ka një listë të shërbimeve mjekësore që bënë të ditur se cilat shërbime mjekësore ofrohen në Kosovë e cilat jo.

Sipas tij, mungesa e efikasitet për disa shërbime mjekësore brenda institucioneve publike në Kosovë po ndodhë edhe për shkak të mungesës së barnave.

Kërkesa të shumta për shërbim jashtë vendi ka pasur në edhe në viti 2018, ku brenda atij viti patën aplikuar 1 mijë e 432 persona, e u shpenzuan afro 9 milionë euro për këtë.

 

 

Lexo edhe

error: