Kelmendi: Nuk ka miell, të intervenohet me rezervat shtetërore

Kelmendi: Nuk ka miell, të intervenohet me rezervat shtetërore

Pas paraqitjes së pandemisë Covid-19, biznesmeni i njohur në vend, Ramiz Kelmendi, po thotë se bizneset po ballafaqohen me kërkesën e shtuar për disa artikuj themelor që nevojiten për familjet në vend. Deri tash, sipas tij, ka mungesë të miellit, që është reduktuar për shkak të kufizimit të lëvizjes së mallrave nëpër shtete të ndryshme dhe ngadalësimit të importit.

Kelmendi në një intervistë për KosovaPress, ka kërkuar nga institucionet e shëtit që të shpall gjendjen e jashtëzakonshme për të dalë nga kriza dhe zvogëluar koston financiare që aktualisht është tash.

“Ka mungesë momentalisht të miellit, ndërsa sa i përket produkteve të tjera jemi në një fazë të mbulimit të kërkesave të përnjëhershme siç nuk kanë qenë deri më sot…Koronavirusi është një epidemi regjionale, botërore. Pra, të gjitha ato shtete që më shumë të prekur, kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, në një farë forme kanë tërhequr nga shitja dhe kanë kufizuar eksportin e produkteve strategjike, për të cilat ato produkte i nevojiten qytetarëve të Kosovës. Kanë vendosur po ashtu mos lëvizjen e lirë të qytetarëve, vetëm të transportit të mallrave. Mirëpo edhe vozitësit, të cilët po lëvizin nëpër shumë firma nëpër botë, Evropë dhe Ballkan nuk janë duke punuar. Prandaj, është ndalë eksporti nga shtetet e ndryshme, të cilat e kanë kufizuar eksportin dhe nuk kemi me çka me i sjellë mallrat në Kosovë. Pastaj, rreziku i vozitësve që të futen në karantinë, e ka shtuar në masë të madhe zvogëlimin e atyre vozitësve të cilët kanë qenë në dispozicion. Sigurisht se nuk ka vend për panik, mirëpo gjithnjë ka vend për pakujdesje që çdo familjarë të kujdeset për mundësinë e ndonjë shfaqjeje të mungesave të caktuara për një kohë, por jo më shumë se 45-60 ditë”, thotë Kelmendi.

Ai ka ftuar qeverinë që të fillojë të intervenojë me rezervat e shtetit, në mënyrë që të zvogëlohet paniku tek qytetarët dhe të zvogëlohet mundësia e bartjes së koronavirusit.

Pronari i kompanisë “Elkos Group”, po ashtu po apelon që vendi ta shpall gjendjen e jashtëzakonshme për arsye se kostoja e shpenzimeve do të jetë më e vogël.

Ai po ashtu foli edhe për mocionin për vet-besimin e qeverisë Kurti, teksa tha se nuk ka impakt në ekonomi për arsye se sektori privat dhe ligjet ekzistuese në fuqi janë të mjaftueshme që sektori privat të ecë në rrugën e vet për të cilën mendon se kriza politike fare nuk ka ndikim.

Ndërsa, mundësinë e rritjes së çmimeve në këtë kohë, Kelmendi thotë se vetëdija e të gjithë tregtarëve është në nivelin e duhur. Sipas tij, tregtarët janë të organizuar, kanë marrë me kujdes sugjerimet dhe vendimet e qeverisë që mos të rriten çmimet e atyre produkteve për të cilat nuk ka imput të rritjes nga importi.


 

 

 

 

 

 

 

 

Lexo edhe

1 Comment

Comments are closed.

error: