KEK-u anulon konkursin për të cilin u akuzua për nepotizëm

KEK-u anulon konkursin për të cilin u akuzua për nepotizëm

Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, ka marrë vendim për anulimin e punësimit për  127 pozita të lira në këtë kompani.

Vendimi është marrë bazuar në vlerësimet e komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit i përberë nga eksperti i pavarur ligjor i angazhuar në projektin e BE-së për reforma në administratën publike, eksperti i pavarur i proceseve të rekrutimit dhe zyrtari ligjorë i KEK-ut.

KEK-u do të bëjë përsëritjen e këtyre fazave për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs.

“Lidhur me këtë çështje, Korporata Energjetike e Kosovës menjëherë pas përfundimit të procedurave të rekrutimit sipas shpalljes publike për plotësimin e 150 pozitave të lira, ku kishin aplikuar mbi 5 (pesë) mijë kandidat, dhe ishin publikuar rezultatet përzgjedhjes për 127 pozita, kishte njoftuar opinionin se është duke përcjell me shumë kujdes të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit duke siguruar se për këtë çështje do të formohet komisioni i pavarur i cili do t’i shqyrtojë me shumë kujdes të gjitha pretendimet”.


Për më tepër, KEK-u kishte inkurajuar çdo kandidat që konsideron se i janë shkelur të drejtat e garantuara me dispozita ligjore, të parashtroj ankesë brenda afatit ligjor, me ç’rast ishin pranuar rreth 230 ankesa të cilat janë trajtuar me shumë kujdes nga komisioni i pavarur.

Vendimi pason raportimet e mediave dhe deklaratat e përfaqësuesve të partive opozitare se përmes konkursit në KEK janë punësuar përkrahës të partisë në pozitë, Lëvizjes Vetëvendosje.

Lidhur me konkursin në KEK, Lidhja Demokratike e Kosovës më 6 prill ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ka nisur hetimet.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.