Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

KEDS rregullon njërën nga daljet më problematike në Restelicë, shtyllat e vjetra zëvendësohen me rrjet të ri

KEDS rregullon njërën nga daljet më problematike në Restelicë, shtyllat e vjetra zëvendësohen me rrjet të ri

Kompania kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), ka investuar në largpërçuesin e Restelicës, ku kjo zonë cilësohet edhe si njëra ndër zonat më problematike për KEDS-in.

Drejtori i sistemit të operimeve, Bujar Jupaj, ka thënë se ky investim përfshin rreth 5 kilometra rrjet të ri energjetik, ndërsa nga ky rrjet do të furnizohen rreth 15 mijë banorë të kësaj zone.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se vlera e përgjithshme e projektit kap shifrën rreth 100 mijë euro.


“Bëhet fjalë për një projekt nën distriktin e Dragashit, ku projekti ka qenë linjë e vjetër në viset malore. Ne kemi arritur ta ndërtojmë një linjë prej 5 kilometra, duke marrë parasysh nevojën dhe numrin e prishjeve që kanë qenë në atë pjesë. Ne në kohë dimri jemi mobilizuar me të gjitha ekipet që investimi të bëhet sa më shpejt. Nuk ka qenë investim i vogël, po flasim për investim 100 mijë euro, ku në atë rajon i furnizon 15 mijë banorë, andaj ka qenë e nevojshme ta marrim këtë aktivitet shumë urgjent, në mënyrë që të përfundohet projekti sa më shpejt dhe të suksesshme”, ka thënë Jupaj.

Zyrtari për komunikim në KEDS, Adlum Ramadani ka thënë se ky investim është i një rëndësie të veçantë për faktin që kjo dalje ishte njëra ndër më problematiket në nivel Kosove. Ai ka thënë se pas këtij investimi, përveç se banorët nuk do të kenë probleme me energji, në rast të ndonjë prishjeje, do të jetë më e lehtë edhe për punëtorët e KEDS-it që ta rregullojnë në kohë sa më të shpejtë.

“Investimi i bërë nga ana e KEDS-it në këtë anë, është i një rëndësie të veçantë, për vetë faktin se i është bërë zgjidhje njërës prej daljeve më problematike në nivel të Kosovës. Dalja e Restelicës, tash e tutje nuk do të ketë vështirësi apo prishje siç ka pasur në të kaluarën. Dislokimi i rrjetit nga zonat malore skaj rrugës, do të mundësojë që ekipet tona të intervenojnë në kohë rekorde, në rast të ndonjë prishje eventuale, në mënyre që konsumatorët tanë të mos kenë më problem me furnizim me energji elektrike. Përmes këtij investimi njëkohësisht është bërë zgjidhje afatgjate edhe në aspektin e furnizimit me energji kualitative dhe të qëndrueshëm, pasi në të kaluarën ka qenë si i pamundur në veçanti në kohën e dimrit, kur kushtet atmosferike e kanë vështirësuar tej mase intervenimin nga KEDS”, ka thënë Ramadani.

Ndryshe, në këtë rrjet janë të kyçura fshatrat si Mlike, Vranishte, Glloboqicë, Zlibotok, Krushevë dhe Restelicë.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: