KEDS po vazhdon luftën ndaj keqpërdoruesve të energjisë elektrike

KEDS po vazhdon luftën ndaj keqpërdoruesve të energjisë elektrike

KEDS ka bërë të ditur se po vazhdon luftën ndaj keqpërdoruesve të energjisë elektrike, me qëllim të vendosjes së rendit dhe rregullit, të eliminimit të humbjeve dhe ofrimit të shërbimeve sa më kualitative.

Në një komunikatë për media KEDS thotë se ky mision po realizohet me ekipet në terren të cilët janë të pakompromis ndaj çdo konsumatori që e keqpërdor energjinë elektrike.

“Deçani i Pejës, Krajka e Prizrenit e Bardhoshi i Prishtinës, ishin vetëm disa nga lokacionet ku KEDS ndërmori aksione së fundmi kundër keqpërdoruesve të energjisë elektrike, ku disa konsumatorë u zunë në flagrancë duke keqpërdorur shërbimet e energjisë”, thuhet në komunikatë.


Sipas KEDS-it, identifikimi i keqpërdoruesve të energjisë elektrike bëhet lehtësisht përmes sistemit të sofistikuar e të integruar në stabilimentet energjetike.

“ Shfrytëzimi i pakontrolluar i energjisë elektrike, përpos që po shkakton mbingarkesa në rrjet, po rrezikon edhe komplet infrastrukturën energjetike. Kjo ka bërë që KEDS të intensifikojë edhe më shumë aksionet duke organizuar kontrolle të shumta te konsumatorët e dyshuar për keqpërdorim. Ndaj tyre, përpos që po shqiptohen gjoba, por procedohen edhe për gjykatë, ku sipas ligjit në fuqi, nga kjo vepër ata rrezikojnë të dënohen deri në tre vite burg”, thuhet po aty.

Për çdo vit, KEDS ngrit rreth pesë mijë kallëzime penale ndaj atyre që shfrytëzojnë ilegalisht shërbimet e energjisë elektrike. 

KEDS apelon te konsumatorët që në asnjë rrethanë të mos keqpërdorin energjinë elektrike dhe në rast se hasin në raste të tilla, të shfrytëzojnë kanalet e komunikimit përmes Qendrës së Thirrjes në 0800 791 00 apo duke na shënuar në rrjetet sociale, ku secili rast do të trajtohet me konfindencialitet të plotë.

Lexo edhe

Video