KEDS me teknologji të fjalës se fundit po arrin të gjurmojë prishjet në rrjet

​Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) bën hulumtimin dhe lokalizimin e prishjeve në rrjetin nëntokësor përmes automjeteve përkatëse. Automjeti matës i teknologjisë së fundit po e shkurton kohën e intervenimit në rastet kur ka ndonjë defekt në rrjetin elektrik.

Përmes këtij automjeti, punëtorët e KEDS-it po arrijnë të gjejnë me saktësi se në cilën pjesë ka ndodhur defekti dhe në këtë mënyrë po përgjysmohet kohëzgjatja e ndërprerjeve në rastet e avarisë.

Koordinatori i automjeteve matëse, Orhan Kajtazi, ka treguar punën që bëhet me automjetin matës për të gjurmuar vendin se ku ka ndodhur prishja dhe sesi ky automjet po ndikon në efikasitetin e ekipeve në terren

“Vetura e matjes është për hulumtimin e prishjeve të kabllove të tensionit të ulët, të mesëm dhe të lartë. Për momentin jemi duke i shqyrtuar kabllot e tensionit të mesëm 20 kV të daljes numër 36 dhe tash me dëgjuese, me pajisje të sakta, do të na tregojë gjatësinë dhe thellësinë e kabllos…. Kjo pajisje është e teknologjisë së fundit dhe kjo na tregon saktësisht mund të them deri në 99.9 përqind saktësinë e prishjes dhe me dëgjuese dhe me aparatura speciale e gjejmë kabllon saktësisht ku është defekti dhe mandej vjen deri tek intervenimi fizik me ekskavatorë dhe punëtorë për të evituar prishjen sa më shpejtë”, tha ai.

Menaxher i rrjetit në KEDS, Hajdin Zhdrella, tha se KEDS-i për të shkurtuar kohën e ndërprerjes së energjisë kur ka avari në rrjet, përdor teknologjinë e fjalës së fundit.


Ai u shpreh se KEDS posedon tri automjete matëse, e të cilat tha se e lehtësojnë tej mase edhe punën e punëtorëve për të gjurmuar dhe zbuluar vendin e prishjes.

“KEDS për të rregulluar prishjet në kohë sa më të shpejtë përdor edhe teknologjinë e fundit ku ka tashmë të instaluar sistemin SCADA, Kosovanet, po ashtu me të cilat bëhet monitorimi edhe njoftimi fillestar i prishjeve që ndodhin në terren. Me të marrë informatën që ka ndodhur prishja, ekipet e KEDS angazhohen në mënyrë që të gjejnë lokacionin dhe vendndodhjen e prishjeve. Një nga metodat me të cilat KEDS vepron për gjetjen e prishjeve është edhe automjeti matës, i cili zakonisht përdoret në rastet kur kemi të bëjmë me prishjet e kabllove nëntokësore. Do të thotë për kabllot nëntokësore, pa kerrin matës do të ishte punë shumë e vështirë, mund të themi që do të ishte thuajse e pamundur (lokalizimi i prishjes)”, tha ai.

Zhdrella tha se KEDS në linjat ajrore ka filluar së implementuari edhe indikatorët, të cilat tregojnë në kohë reale se në cilën pjesë të linjës ka ndodhur prishja.

“KEDS në linjat ajrore ka filluar se implementuari edhe indikatorët e prishjeve. Indikatorët që tregojnë në kohë reale se në cilën pjesë të linjës ka ndodhur prishja dhe në cilën fazë ka ndodhur prishja. Do të thotë kjo do të ndihmojë në shkurtimin e kohës së gjetjes së prishjes, se ekipet tona paraprakisht e kanë informatën po e zëmë në një linjë është 20 kilometra e gjatë, ne i vendosim indikatorët në mes të asaj linje diku distancë 10 kilometra edhe përcaktohemi distancën a e kemi në 10 kilometërshin e parë prishjen apo në 10 kilometërshin e dytë. Me këtë rast do të thotë nuk humbim kohë duke kërkuar prishjen në pjesën në të cilën është në rregull dhe nuk ka prishje, por e kemi zonën e përcaktuar se ku mund të ndodh prishja dhe ekipet tona intervenojnë në mënyrë efikase…”, tha ai.

Ai shtoi se KEDS vazhdimisht investon në teknologjinë më bashkëkohore, që ekipeve në terren tu lehtësohet puna, dhe në të njëjtën kohë t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve në kohë më të shpejtë. 

Lexo edhe

Video

error: