KEDS kërkon ndihmën e të gjithë akterëve për të përballuar krizën energjetike

KEDS kërkon ndihmën e të gjithë akterëve për të përballuar krizën energjetike

KEDS dhe KESCO po kërkojnë ndihmën e të gjithë akterëve të sektorit energjetik dhe institucioneve relevante, në mënyrë që të mos përballen të vetme me krizën energjetike dhe që kjo situatë të afektojë sa më pak që është e mundur konsumatorët në këtë kohë, por edhe në të ardhmen.

Në një komunikatë për media thuhet se KEDS dhe KESCO po e mbajnë mbi supe barrën financiare dhe po bëjnë më të mirën që konsumatorët të furnizohen me energji elektrike edhe në këtë kohë krize.

“Kriza energjetike tash e më shumë se një muaj ka prekur edhe Kosovën. Tregu energjetik evropian pjesë e të cilit është edhe Kosova, po përballet me çmime pesëfish më të shtrenjta në raport me vitin e kaluar. Këto çmime marramendëse e që shkojnë mbi 300 euro për MWh po i paguajnë kompanitë KEDS dhe KESCO, pa përfshirë edhe çmimet për kapacitetet ndërkufitare e të cilat ndikojnë tutje në çmimin fundor të energjisë së importuar… Në këtë situatë të rëndë energjetike, KEDS dhe KESCO, ashtu sikurse edhe kompanitë e sektorit të energjisë së shteteve evropiane, kërkojnë ndihmën e të gjithë akterëve të sektorit energjetik dhe institucioneve relevante, në mënyrë që këtë rrugë të rënduar mos ta bëjnë të vetme dhe që kjo situatë të afektojë sa më pak që është e mundur konsumatorët në këtë kohë, por edhe në të ardhmen”, thuhet po aty”, thuhet në komunikatë.


KEDS dhe KESCO deklarojnë se kanë shterur kapacitetet financiare deri në fund si pasojë e përballjes me çmime të larta.

“Kemi pasqyruar situatën e rënduar në të cilën gjendemi në Task Forcën e krijuar nga Ministria e Ekonomisë, e po ashtu duke bashkëpunuar dhe raportuar direkt edhe në institucionet më të larta shtetërore. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë palët që kjo situatë të tejkalohet sa më lehtë për të gjithë. Tani kur po hyjmë në sezonin e dimrit, ne jemi dëshmitar të një trendi të rritjes së konsumit, që kryesisht ndodh pasi pjesa më e madhe e qytetarëve të vendit po ngrohen me energji elektrike. Megjithëse kapacitetet prodhuese në vend kanë shënuar rritje viteve të fundit, kjo rritje nuk është lineare me rritjen e kërkesës për konsumin e energjisë elektrike, dhe respektivisht kjo diferencë e madhe sidomos gjatë kohës së pikut, duhet të mbulohet përmes importit”, thuhet po aty.

Sipas tyre, varshmëria ndaj importit ekspozon ndaj lëvizjes së  çmimeve të importit në tregjet ndërkombëtare, të cilat aktualisht janë të papërballueshme. Kostot e importit si të tilla nuk janë paraparë gjatë shqyrtimit të fundit tarifor, prandaj të dy kompanitë thonë se nevoja për mbështetje financiare për sektorin e energjisë është e domosdoshme dhe imediate. KEDS e KESCO si kompani deklarohen të hapura për bashkëpunim në gjetjen e një zgjidhje sa më të mirë për të gjithë. 

Lexo edhe

Video