KEDS del me sqarim për vonesat në konstruktimin e rrugës “Muharrem Fejza”

KEDS del me sqarim për vonesat në konstruktimin e rrugës “Muharrem Fejza”

Vonesat në konstruktimin e rrugës Muharrem Fejza të Prishtinës nuk janë shkaktuar nga KEDS-i, përkundrazi ky i fundit është viktimë në këtë rast, pasi i është dëmtuar infrastruktura e vendosur aty, thuhet në një sqarim për media nga ana e kësaj kompanie.

Ne si kompani e kemi lajmëruar me kohë Komunën e Prishtinës, që kontraktori i tyre dhe kontraktori i Termokosit janë duke e dëmtuar infrastrukturën tonë ekzistuese, por fatkeqësisht nuk është ndërmarrë asgjë me kohë. Si rrjedhojë, dëmtimet nga këta kontraktorë janë të mëdha, thuhet në sqarim.

Në shkresën zyrtare që KEDS ia kishte dërguar Komunës së Prishtinës më 2 korrik, e kishte informuar detajisht lidhur me rastin.


“Ne si kompani i kemi kërkuar komunës që kontraktorët ta rikthejnë rrjetin në gjendjen e mëparshme, konkretisht te bëjnë furnizimin dhe vendosjen e gypave të brinjëzuar me numër te njëjtë se sa kanë qenë dhe po ashtu te bëjnë rindërtimin e pusetave në ato vende ku janë duke i demoluar. Kjo kërkesë e cila është edhe obligim ligjor, pasi afekton direkt furnizimin me energji elektirke të asaj pjese të kryeqytetit, kishte hasë në vesh të shurdhër”, thuhet më tej në sqarim.

KEDS thotë se në kuadër të projekteve investive në regjionin e Prishtinës e me theks te veçantë ne zonën e MATIT, kishte planifikuar që shumë shpejt t’i funksionalizojë daljet 20 kV nga NS Prishtina 7 dhe Prishtina 2, por dëmtimi i infrastrukturës së tij ka krijuar pengesa të pariparueshme të cilat do të ndikojnë në përmbylljen e projektit dhe zotimeve për largimin e gjithë rrjetës ajrore përgjatë kësaj rruge.

“Kjo do të ishte shumë e lehtë dhe shpejt, pasi KEDS kishte infrastrukturën e gatshme dhe do të vendoste edhe rrjetin elektrik në gypat ekzistues. Tash, KEDS është duke u ballafaquar me infrastrukturën e shkatërruar nga kontraktorë të papërgjegjshëm, të cilën në vend që ta rikthejnë në gjendje të mëparshme ata, po detyrohemi ta bëjmë ne, për shkak që mijëra konsumatorë kanë nevojë për shërbime të energjisë elektrike”, përfundon KEDS.

Ndryshe, banorët e rrugës “Muharrem Fejza” me rrugët lidhëse kanë protestuar disa here për shkak të vonesave të punimeve për gjendjen e rrugëve. Sipas banorëve, punimet që kanë filluar tash e sa muaj po pengojnë hapësirat për ecjen e këmbësorëve, ndërsa personat me nevoja të veçante kanë mbetur të mbyllur.Banorët thonë se kërkesat e tyre i janë adresuar Komunës disa herë, por deri tani ata kanë mbetur pa përgjigje.

Lexo edhe

Video