KE propozon sanksione ndaj personave që ndihmojnë Rusinë t’i anashkalojë ato

KE propozon sanksione ndaj personave që ndihmojnë Rusinë t’i anashkalojë ato

Propozimi për paketën e tetë të sanksioneve kundër Rusisë, i cili u prezantua sot nga Komisioni Evropian, përfshin edhe sanksionimin e personave që ndihmojnë në shmangien e sanksioneve.

“Po prezantojmë një kategori të re, në të cilën do të mund të fusim në listë individë nëse i anashkalojnë sanksionet. Për shembull, nëse blejnë mallra në Bashkimin Evropian, i sjellin në një vend të tretë dhe më pas në Rusi, kjo do të jetë një anashkalim i sanksioneve dhe këta individë mund të jenë në listën e sanksionuar. Mendoj se do të ketë një efekt të madh parandalues”, tha presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen.

Ajo theksoi se sanksionet aktuale të BE-së kanë goditur rëndë regjimin e presidentit rus Vladimir Putin.

“Ata ia vështirësuan financimin e luftës dhe tani ne po intensifikojmë përpjekjet tona në atë drejtim”, tha zyrtarja e KE-së.


Bashkimi Evropian ka marrë tashmë një vendim për ndalimin e importit të naftës bruto ruse të transportuar me cisterna, i cili do të hyjë në fuqi më 5 dhjetor.

Kohët e fundit, një grup i vendeve më të zhvilluara, G7, propozoi vendosjen e një kufiri çmimi për naftën ruse për vendet e treta, dhe tani propozimi i Komisionit po shkon në këtë drejtim.

“Ne e dimë se disa vende në zhvillim kanë nevojë ende për naftën ruse me një çmim të ulët. Në paketën e sotme, ne vendosëm kuadrin ligjor për futjen e kufizimeve ruse të çmimit të naftës për vendet e treta. Nga njëra anë, kjo do të zvogëlojë të ardhurat ruse nga shitja e naftës dhe nga ana tjetër, do të mbajë të qëndrueshme tregjet globale të energjisë”, tha von der Leyen.

Paketa e re, e tetë e sanksioneve përfshin shtimin e 1300 personave të tjerë fizikë dhe juridikë në listën e personave të sanksionuar, një ndalim të gjerë të importeve, që do t’i privojë Rusisë 7 miliardë euro të ardhura, si dhe ndalimin e eksportit të disa teknologji kyçe për Rusinë.

Gjithashtu propozohet që qytetarët e BE-së të mos jenë më në bordet e drejtorëve të ndërmarrjeve shtetërore ruse.

Lexo edhe

Video