Katy Perry ka shitur një pjesë të të drejtave të saj muzikore te Litmus Music, marrëveshje kjo e cila sipas burimeve të shumta vlerësohet me 225 milionë dollarë.
Shitja, e cila u njoftua të hënën, mbulon të pesë albumet e Perry-t të publikuara për Capitol Records, duke filluar nga “One of the Boys” e 2008-ës deri tek “Smile” e 2020-ës.
Kjo përfshin hitet si “Firework”, “Teenage Dream”, “Hot ‘n’ Cold”, “California Gurls” dhe “I Kissed A Girl”.
Kjo është marrëveshja më e madhe e katalogut për një artist të vetëm këtë vit, shkruan BBC.
Justin Bieber ishte mbajtësi i mëparshëm i titullit, pasi shiti aksionet e tij te Hipgnosis Songs Capital me bazë në Mbretërinë e Bashkuar në janar për 200 milion dollarë.
Litmus tani zotëron aksionet e Perry-t në regjistrimet kryesore dhe botimet për disqet, që do të thotë se do të mbledhë çdo honorar në të ardhmen që sjellë muzika.
Dy nga këngët e saj – “Dark Horse” dhe “Roar” – kanë më shumë se një miliardë transmetime në Spotify. “Roar” është gjithashtu një nga videot më të shikuara të të gjitha kohërave në YouTube, me 3.8 miliardë klikime.
Blerja e të drejtave të muzikës ka qenë një biznes në lulëzim gjatë dy viteve të fundit, me artistë duke përfshirë Bob Dylan, Neil Young, Shakira, Debbie Harry dhe Justin Timberlake që heqin dorë nga honoraret e ardhshme për shuma nëntëshifrore.