Kastrati premton furnizim me ujë të pijshëm dhe urbanizimin e Malishevës

Kastrati premton furnizim me ujë të pijshëm dhe urbanizimin e Malishevës

Kandidati i Nismës Socialdemokrate për kryetar të Malishevës, Ekrem Kastrati premton furnizim me ujë të pijshëm dhe transformimin e komunës në qendër urbane. Këto janë edhe dy prioritet e tij themelore, ndërkohë që zotohet për zhvillim ekonomik, sistem arsimor më të mirë dhe përkrahje të fermerëve. Ai shprehet i bindur në fitore në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, meqë thekson se Nisma tashmë ka histori suksesi në këtë komunë.

Ekrem Kastrati, i cili është kandidat i Nismës për këtë komunë, thotë se tetë vjet më parë, Malisheva ka qenë më e pazhvilluara në aspektin infrastrukturor. Sipas tij, kryetari i deritanishëm Ragip Begaj ka implementuar shumë projekte, duke nisur edhe nga infrastruktura bazike.

Ai thotë se janë komuna e parë në nivel vendi që shumica e shkollave mbahet vetëm me një ndërrim.

“Përveç infrastrukturës bazike, kryetari Begaj ka ndërtuar rreth 22 shkolla. Këto shkolla i ka pajisur edhe me laboratorë të ndryshëm, me mjete konkretizuese, por edhe ka ndërtuar edhe fusha sporti dhe këto fusha i ka pajisur me mjete të cilat janë të nevojshme për aktivitete sportive. Në këtë drejtim, pas kësaj, rezultatet kanë qenë evidente. Klubi i parë i futbollit Malisheva, tani vetëm është anëtar ose pjesë e Superligës së Kosovës. Gjithashtu kemi rezultate të tjera edhe në grupe të tjera të atletikës, si dhe grupi i femrave të Malishevës. Edhe ato marrin pjesë në gara të nivelit më të lartë”, shprehet ai.

Kastrati shtoi se gjatë kohës sa Nisma ka qenë në qeverisje janë hapur edhe tri çerdhe, ndërsa tani po zotohet edhe për investime të tjera në shëndetësi.

“E kemi ndërtuar një Urgjencë, e cila është më standarde bashkëkohore, me standarde shumë të mira të cilat ofrojnë shërbime shëndetësore për gjithë qytetarët tanë me kualitet shumë më të mirë dhe shumë më të lartë”, shton Kastrati.


Kandidati i Nismës Socialdemokrate premton zhvillim ekonomik dhe zhvillim të sistemit arsimor. Në mesin e prioriteteve është edhe pajisja e Qendrës së Mjekësisë Familjare me aparatura mjekësore.


“Tri prioritet esenciale që do të duhej të ishin preokupim i yni i përditshëm është uji, i cili dita-ditës po mungon në shtëpitë tona. Prandaj, ne do të bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme që këtë produkt esencial të jetës tonë ta kemi me sasi të mjaftueshme. Ne e kemi në fokus sistemin e ujit të Radoniqit, i cili është një projekt që neve na mundëson që ta marrim ujin nga liqeni i Radoniqit dhe ta shpërndajmë nëpër fshatra të një pjesë shumë të madhe të komunës. Ky është një prej mega-projekteve që ne mendojmë që ta realizojmë ose përmes donacioneve ose përmes buxhetit komunal”, thekson ai.

Kastrati radhit si prioritet të dytë transformimin e qytetit të Malishevës në qendër urbane.

“Projekti i dytë themelor është që qytetin e Malishevës ta bëjmë urban, që t’i ngrisim disa mini-qendra të qytetit në pjesën e parë urbane të qytetit. Edhe në këtë mënyrë edhe rrugët kryesore që presim t’i tjetërsojmë nga pamja e tanishme. Mendojmë se një numër të konsiderueshëm të buxhetit tonë ta orientojmë në pjesën urbane të Malishevës i cili do ta ketë, edhe pjesën historike, edhe kulturore, edhe pjesën argëtuese. Për ta bërë këtë ne veç pothuajse kemi në pjesën finale projektin e Malishevës së re”, premton Kastrati.

Kastrati shprehet i bindur në fitore, meqë thotë se karriera e tij nuk mund të krahasohet me atë të kandidatëve të tjerë.

“Qytetarët e komunës së Malishevës kanë vendosur që të vazhdojnë me Nismën Socialdemokrate dhe punët e mira dhe të vazhdojnë me votimin e kandidaturës sime që të dal nga këto struktura. Sigurisht që kanë parasysh që karriera ime është që kandidatët e tjerë nuk e kanë. Shpresoj që qytetarët e Malishevës të më besojnë ashtu janë përshtypjet edhe kontaktet që kemi me ata edhe bisedat që po i zhvillojmë me ta”, përfundon Kastrati.

Ekrem Kastrati i cili garon në zgjedhjet 17 tetorit në Malishevë zotohet për përkrahje të fermerëve me projekte të mëdha dhe që produktet e tyre bujqësore të jenë të mjaftueshme për konsum.

Lexo edhe

Video

error: