Kastrati: Po testohen të gjithë personat që kishin kontakt me personin me COVID-19

Kastrati: Po testohen të gjithë personat që kishin kontakt me personin me COVID-19

Mbrëmë është shënuar rasti i parë pozitiv me virusin COVID-19 në Komunën e Kamenicës, ku personi që është diagnostikuar është i moshës 42 vjeçare dhe ka hyrë në Kosovë më datën 19 mars.

Kryetari i kësaj Komune Qendron Kastrati, për KosovaPress ka treguar se ky person ka qenë vozitës në një agjenci udhëtimi për linjën Kosovë-Gjermani. Ai tha se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të identifikuar të gjithë personat me të cilët ai ka pasur kontakt.

Kreu i Kamenicës tha se fshati Topanicë do të vazhdojë të jetë në karantinë, derisa të testohen të gjithë personat potencial që kanë pasur kontakt me të infektuarin.

“Personi në fjalë është i moshës 42 vjeçare, ka hyrë në Kosovë me datën 19 mars, ka qenë vozitës i një agjencioni që e ka një prej linjave Kosovë-Gjermani. Nuk vuan nga sëmundje kronike të tjera dhe për këtë arsye me gjasë është dashur me kalua 12 ditë derisa ai ka pasur një prej simptomave më të lehta. Ne si Komunë kemi pasur 2-3 vizita më herët, po vazhdimisht në kontakt me IKShPK dhe pastaj kemi insistuar dhe kemi këmbëngulur që qytetari të testohet, ai ka qenë edhe insistimi i tij. Dje i janë bërë analizat dhe ka dal që është i infektuar. Tash është kohë shumë e shkurt dhe përderisa ky ka qëndruar gjatë ne së pari familjen po përkujdesemi vazhdimisht që të qëndrojnë të izoluar”, tha ai.

Kastrati tha se i kanë marrë të gjitha masat që të gjurmohen të gjithë personat që kanë pasur kontakt me personin e konfirmuar me koronavisurs.


“Normalisht kur të qëndrosh 10 deri në 12 ditë pa e ditur që e ke një sëmundje ose virus, normalisht që kontaktet do të jenë se ti mund të kesh kontakte me familjarë dhe ata me të tjerë dhe kështu. Prej asaj që kemi marrë nga Policia zyrtare atëherë kur ata e kanë bërë vizitat ky ka qenë në shtëpinë e tij. Por, kemi edhe informatë tjetër që duhet t’i verifikojmë dhe për këtë arsye po e them që është herët sot me thënë që ka pasur ose me sa persona ka pasur kontakte. Është diçka që duhet me u bë gjatë kësaj kohe dhe me i ndërmarrë masat”, deklaroi ai.

I pari i Kamenicës tha se fshati Topanicë do të vazhdojë të jetë në karantinë derisa të testohen të gjithë personat me të cilët ka pasur kontakt.

“Dje është vendosur që të izolohet ose të vendoset në karantinë fshati Topanicë, duke e pasur parasysh që për 12 ditë qytetari nuk ka qenë i identifikuar dhe ka mundur të ketë kontakte me njerëz qoftë ai apo rrethi i tij. Derisa ta bëjmë një listë dhe të testohen të gjithë të tjerët”, tha Kastrati.

Kastrati u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos lëvizin pa pasur nevojë, pasi sipas tij vetëm një mobilizim i të gjithëve do të frenoj përhapjen e kësaj pandemie.

Në vendin tonë deri më tani janë identifikuar 108 persona të prekur me virusin COVID-19.

Lexo edhe

error: