Kastrati e Haxhiu përplasen në Kuvend, deputeti: Jeni kulmi i paturpësisë; Ministrja: Nuk ia vlen të merrem me sojin tënd

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati e ka etiketuar Lëvizjen Vetëvendosje si “majën e mashtrimit dhe kulmin e paturpësisë” gjatë debatit për Projekt-Kodin e Procedurës Penale, duke thënë se Qeveria e drejtuar nga Kurti nuk mund të mirë administrojë drejtësinë në vend.

Sipas tij, propozimet e prezantuara janë ofruar që në vitin 2019 dhe nuk janë pranuar atëherë nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Pra, ju që s’e keni sensin dhe sentimentin për drejtësinë, tani më bëni këtu se jeni kredibil për këto ndryshime që në fakt këto janë propozuar shumë moti në 2019. Pra, ju që se keni këtë sens por në fakt e keni kallë këtuhen krejt me molotova me gjithçka, nuk mund të jeni kredibil për këtë, siç mund të thoshte një koleg i juaji që fol shumë bukur latinisht: ‘O tempora, o mores!’ a më kupton, o Zot, o Zot. e tash ta besoj dikush që për shkak të juaj të bëhet miradministrimi i drejtësisë sikur të besohet që nata është ditë, sikur të besojmë tash që nuk jena në Parlament të Kosovës por ne Bundestag, ose sikur të besojmë që toka nuk është e rrumbullakët”, deklaroi Kastrati.

Ai tha se mund të besojë gjithçka por jo edhe faktin se Qeveria e Kurtit mund të bëjë diçka për drejtësinë pasi kanë mashtruar ndërsa shtoi se kjo nuk mund të bëhet as për vota.


“Nuk e besoj që ju mundi me qenë liderë në këtë sens sepse ju keni qenë maja e mashtrimit dhe kulmi i paturpësisë si në raport me drejtësinë sepse e keni rrënuar drejtësinë dhe nuk e njohur kurrë institucionet e gjyqit, duke nis prej kushtetutës e teposhtë, e nëse kjo bëhet për disa vota ju e keni parë të dielën që elektorati nuk i han mo përrallat qengji dhe ujku”, vijoi Kastrati që në largim tregoi numrin 177, ai i PDK së në zgjedhjet lokale të stampuar në xhaketën e tij.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se nuk merret me sojin e Kastratit që duhet t’i vijë turp që është deputet i Kuvendit.

“Disa çështje që u ngritën nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, jo nga soji i këtij deputeti se me ty nuk ia vlen as mu marr, më fal, nuk humbi kohë me u marrë me ty. Fatkeqësi qysh një person i tillë i thotë vetit deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës”, përfundoi Haxhiu.

Më pas, në replikë, Kastrati tha se Haxhiu duhej të kishte kërkuar falje që kishte hedhur gaz lotsjellës në Kuvend dhe etiketonte njerëz duke ju shqetësuar familjet dhe jo të bënte si e zgjuar.

Lexo edhe

Video

error: