KAS i reagon ashpër FFK-së: Po tentohet ndikimi në punën tonë profesionale
Sport
Lexohet për: 5 min.
1 javë më parë
Linku u kopjua

Këshilli i Arbitrazhit Sportiv të Kosovës (KAS) i ka reaguar Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) pasi kjo e fundit e kontestoi vendimin e KAS-it në lidhje me padinë e klubit të futbollit “Prishtina” e cila ishte përjashtuar nga garat evropiane pasi nuk ishte lecencuar nga ana e federatës.

Vendimin e KAS-it, FFK e kishte quajtur “të ndikuar” nga kryetari i saj, Eroll Salihu si dhe të pa bazuar në ligj. Një kontestim të tillë, KAS e ka quajtur si “tendencë për ndikim në punën e saj profesionale, transmeton KosovaPress.

Ky është reagimi i plotë i KAS-it:

Këshilli I Arbitrazhit Sportiv shpreh shqetësimin e thellë për sulmin që I është bërë anëtarëve të saj nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), përmes komunikatës së lëshuar më datë 30 Tetor 2024, në lidhje me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (GJAS) për vendimin e marrë sipas padisë së KF Prishtina kundër FFK-së. Sulmet e tilla ndaj KAS-it dhe anëtarëve të saj nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës përmes deklaratave paragjykuese, tendencioze dhe dashakeqe janë bërë tashmë një rutinë. Këto sulme kanë për qëllim të ndikojnë në punën dhe profesionalizmin e KAS-it, si një institucion kredibil dhe kompetent për tëvendosur drejtësinë sportive.

KAS demanton fuqishëm deklarimin e Federatës së Futbollit të Kosovës , duke u shprehur se “Vendimi është nënshkruar vetëm nga znj. Jehona Shyti, sekretare e z. Eroll Salihu dhe nga anëtari i KAS-it, i emëruar nga FC Prishtina. Kjo përbën konflikt interesi, pasi z. Salihu, i cili është shpesh i përfshirë në akuza ndaj FFK-së dhe aktualisht është në procedura gjyqësore kundër saj, ka caktuar si kryesuese të panelit sekretaren e tij, znj. Shyti”.

Për të sqaruar opinionin publik, në vendimin për padinë e KF Prishtina kundër FFK, në asnjë mënyrë nuk ka pas qasje e as ndërhyrje nga ane e Kryetarit të KAS-it, z. Eroll Salihu, I cili e ka përjashtuar veten jo vetëm nga vendimmarrja në lidhje me këtë rast, por edhe nga diskutimi në takimet e

KAS-it kur është trajtuar padia në fjalë. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv për rastin në fjalë është

emëruar në përputhje me Rregulloren e KAS-it dhe duke e shmangur konfliktin e interesit, meqë Kryetari I GJAS-it për këtë rast është emruar me votat e anëtarëve të KAS-it. Për KAS është I papranueshëm sulmi personal, gjuha denigruese dhe linqimi I paskrupullt ndaj znj Jehona Shyti, të cilën FFK e ka quajtur sekretare te Eroll Salihut. Znj Jehona Shyti nuk është sekretare e Eroll Salihut apo ndonjë individi tjetër, por është Sekretare e Përgjithshme e KAS-it, e zgjedhur me shumicën absolute të votave të anëtarëve të KAS-it. Sekretari i KAS-it nuk është një pozitë administrative as teknike, por është njëri nga arbitrat/anëtarët e KAS-it që zgjedhet me votat e Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Olimpik të Kosovës. Cënimi i integritetit të Kryetarit, Sekretares, si dhe i çdo anëtari tjetër të KAS-it, përfaqëson një sulm ndaj sistemit të drejtësisë sportive dhe vlerave që ne përfaqësojmë. KAS, deklarimet e tilla të pavërteta i konsideron të qëllimshme dhe tendencioze në drejtim të punës se suksesshme këtij institucioni, duke vlerësuar se sulmet e tilla, përveç tjerash kanë për qëllim edhe dezinformimin e opinionit publik, pengimin në punë dhe dëmtimin e imazhit të KAS-it.

Nisur nga fakti se nuk është hera e pare që ballafaqohemi me sulme të tilla dhe deklarata të pavërteta nga FFK, KAS i bën thirrje FFK-së dhe të gjithë personave tjerë që kanë synim pengimin e këtij institucioni në realizimin e mandatit të saj, që të përmbahen nga deklarime të tilla të pavërteta dhe tendencioze.

Këshilli i Arbitrazhit Sportiv bën apel për zbatimin e vendimeve të tij nga të gjitha palët e përfshira në procesin sportiv. Zbatimi i këtyre vendimeve është thelbësor për ruajtjen e integritetit të sistemit sportiv dhe për të siguruar drejtësi për të gjithë.

Për më tepër, KAS siguron opinionin publik, se sulmet e tilla, në asnjë moment dhe rrethanë nuk do të ndikojnë në punën, profesionalizmin dhe funksionimin e tij. KAS si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet, do të veproj në pajtim me legjislacionin në fuqi për të mbrojtur interesin e sportit dhe të sportistëve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024