Dhjetëra kardiologë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, protestuan duke kërkuar shkarkimin e drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë, Lulzim Kamberi për shkak të paaftësisë menaxheriale. Po ashtu, kardiologët kërkuan edhe shkarkimin shefit të Njësisë Koronare, Artan Ahmeti, ngase sipas tyre, ky i fundit në muajin gusht, të këtij viti, kishte shkaktuar dhunë fizike ndaj kolegut të tij kardiolog, dhe se ende nuk është ndëshkuar.
Megjithatë, kishte edhe kardiolog që hedhen poshtë këto kërkesa, duke i quajtur të pabaza dhe të artikuluara nga njerëz të caktuar.
Kardiologjia dhe njëkohësisht udhëheqësja e këshillit organizativ për këtë protestë, Aurora Bakalli, tha se kërkojnë shkarkimin e drejtorit të kësaj klinike për shkak të nxitjes së konflikteve ndër kolegiale, ikjes nga përgjegjësia profesionale, mungesës së transparencës etj.
Bakalli potencoi se pavarësisht se nënshkruan peticion dhe zhvilluan takim me drejtorin e SHSKUK-së, Elvir Azizin ende ka pasur ndonjë lëvizje në drejtimin e pakënaqësive të shprehura.
Ndërkaq, profesoresha universitare, Aurora Bakalli paralajmëroi edhe grevë në qoftë se kërkesat e tyre nuk do të realizohen, derisa shtoi se drejtori Lulzim Kamberi është i përfshirë edhe në listën e pritjes për ekzaminime, ngase sipas saj, pacientët pa radhë po kryejnë shërbime.
Lidhur me këto pakënaqësi dhe kërkesa ndaj drejtorit të Kardiologjisë dhe shefit të Njësisë Koronare, mendon ndryshe kardiologu, Daut Gorani, i cili i quajti ankesa të pabazuara dhe të artikuluara e organizuara nga njerëz të caktuar në mungesë të performancës së tyre.
Ndërsa, ish-drejtori i kësaj klinike, Imri Jashari i pyetur se si e sheh këtë protestë, tha se arsyeja e shkarkimit të tij është se nuk kanë qenë kardiologët në Njësi Koronare, që sipas tij, njëri nga ta ka qenë edhe drejtori i tashëm, Lulzim Kamberi.
Protesta e kardiologëve ka vazhduar për rreth një orë, duke përfunduar e qetë dhe pa ndonjë incident.