Ka përfunduar përballja tejet interesante mes Rahovecit dhe Golden Eagle Yllit, ku kjo ndeshje e hapi sezonin e ri 2022/23 të Superligës së Kosovës në basketboll.
Në përballjen e sotme debutim mahnitës bëri trajneri Muhamed Thaçi, ku ekipi i tij, Rahoveci e ka mposhtur në ditën e parë të sezonit, kampionin aktual të Kosovës, Yllin.
Rahoveci e mposhti Yllin me dy pikë epërsi, ku semafori në fund të ndeshjes tregonte shifrat 90:88, përcjell KosovaPress.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me shifrat 50:47 në favor të vreshtarëve, kurse në pjesën e dytë rezultati tregoi në favor të Yllit 41:40, por që nuk ishte e mjaftueshme për suharekasit që ta evitonin humbjen.
Më të mirët e ndeshjes te Rahoveci ishin Jahii Carson me 19 pikë, 7 asistime dhe 6 kërcime, Chris Seeley me 18 pikë dhe Musab Mala me 16 sosh.
Në anën tjetër, te kampioni më të dalluarit ishin Henrik Sirkos me 26 pikë, 7 asistime e 6 kërcime si dhe Valon Bunjaku me 21 pikë të regjistruara.
Rezultati final i ndeshjes, 90:88 (25-30, 25-17, 23-24, 17-17) në favor të Rahovecit.