Kampionet olimpike arrijnë në Kosovë

Me ceremoni shtetërore janë pritur ekipi i xhudos që nga Tokio i sollën Kosovës dy medalje të arta olimpike. Xhudistët janë pritur edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Me të arritur në Kosovë, xhudistja Nora Gjakova, që i solli Kosovës medalje të artë olimpike, tha se ky është një sukses i jashtëzakonshëm dhe se medaljen ia dedikon popullit të Kosovës për mbështetjen e dhënë gjatë gjithë kohës.

“Ky vërtet është një sukses i jashtëzakonshëm sidomos për ekipin tonë, sepse kemi tejkaluar të gjitha pritjet. Unë personalisht dua ta falënderoj trajnerin tim Driton Kuka, i cili vërtetë ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe për 19 vjet sidomos me mua i ka sakrifikuar pa e ditur se do të vijë një ditë e tillë dhe pa e ditë që një ditë do të shijojë fitoren e një medaljeje tjetër olimpike. Gjithashtu, dua ta falënderoj familjen time dhe të jem gjithmonë falënderuese që e kanë zgjedh sportin për të më drejtuar në jetë dhe i falënderoj sepse gjithmonë na kanë vu si mua si Akilin të parët, pa i marrë parasysh obligimet tjera. Ne gjatë gjithë kohës e kemi ndje mbështetjen e secilit dhe kjo medalje është për të gjithë popullin e Kosovës”, tha Nora Gjakova.

Medalje të artë Kosovës i solli edhe Distria Krasniqi, e cila tha se shpreson që nga Parisi të kthehen edhe me më shumë medalje.

“Ju kisha falënderuar të gjithëve, sidomos popullin shqiptar që na ka përcjellë gjatë gjithë kohës dhe na ka mbështetur gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Falënderimin më të madh ia kushtoj Tonit për punën e palodhshme, kështu që t’i gëzojmë këto medalje dhe shpresoj se nuk do të mbetemi me këto medalje, por edhe nga Parisi do të kthehemi edhe më shumë medalje”, tha Krasniqi.

Gëzimin dhe emocionet për medaljet e arta olimpike të fituara në Tokio ishin të mëdha dhe të pa përshkruara edhe për Driton Kuka.

“Dua të falënderoj në radhë të parë heroinën tonë Majlindën që i ka pri këtij ekipi, sepse në vitin 2016 ajo e nisi në mënyrë brilante edhe krejt bota është ngritur në këmbë qysh një Kosovë e vogël të ketë një kampione olimpike, tash i kemi tri. Sinqerisht, gjithë këto urime, gjithë këtë gëzim që e kemi pasur për këto rezultate të arritura, një koment më ka mbetur në kujtesë se e kemi bërë një foto te pesë rrathët olimpikë dhe e kanë shkruar kanë thënë duhet fituar edhe dy medalje. Unë si trajner besoj që do t’i fitojmë edhe këto dy medalje, në mënyrë që të bëhen 5, aq sa rrathët olimpikë, në mënyrë që pas meje të vijnë Majlinda, Akili, të ata të tjerët në sportin e xhudos, por gjithsesi presim dhe jam i sigurt që tashmë edhe sportet së shpejti do të fillojnë të arrijnë aty ku kanë arritur xhudistët. I gëzofshim këto medalje të gjithë së bashku. Është kënaqësi për krejt, popullin shqiptar që tashmë i kemi tri medalje, më të vërtetë mrekulli, nuk e kam pritur as vetë, kemi shkuar për medalje, kemi shkuar për një medalje eventualisht dy, por për dy të arta nuk kam qenë as unë”, tha ai.

Edhe trajneri Agron Kuka, është shprehur i lumtur që vendit i kanë sjellë medaljet e arta nga Tokio.


“Kemi garuar me 5 garues, të 5 me norma, të 5 kanë qenë në rreshtin e parë për ranglistën olimpike, kështu që t’iu them të drejtën realisht kemi pritur medaljen. Kjo bazuar edhe në performancën e tyre dyvjeçare që 4 nga 5 garuesit kanë pasur medalje botërore dhe të pestët kanë pasur medalje evropiane. Kështu që, medaljet e fituara në Tokio janë mrekullia vetë, janë vërtet medalje që na mrekullojnë, por nuk na befasojnë. Përveç dy medaljeve të arta, e kemi edhe një performancë të shkëlqyeshme nga ekipi që ka dalë i 7, por me pak fat sot do të ishim me medaljen e tretë. Sa i përket heroinës tonë Majlindës në këtë olimpiadë, ajo ka qenë boshti dhe shtylla e ekipit edhe pse nuk e ka pasur ditën e saj më të mirë, Majlinda mbetet një dhe e vetmja, e para dhe udhërrëfyesja e kampionëve të tashëm dhe të ardhshëm”, tha ai.

Zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, tha se Nora dhe Distria kanë vazhduar rrugën që e ka hapur Majlinda Kelmendi në Rio 2016, ndërsa u ka bërë thirrje të gjithë sportistëve që të bëhen gati për olimpiadat e ardhshme.

“Nora dhe Distria vazhduan rrugën e hapur nga Majlinda në Rio 2016. Besoj që sukseset do të jenë edhe më të mëdha në olimpiadat e ardhshme. Falënderoj të gjithë xhudistët e tjerë që na përfaqësuan në Tokio dhe të gjithë sportistët e tjerë të sporteve të tjera, të cilët vetëm i kanë përfunduar garat për shkak se e kemi edhe një sportit që garon në vazhdim, mundësi ynë që ka potencial për t’u ranguar mirë në Tokio 2020. Dua t’iu drejtohem e t’iu them të gjithë sportistëve se Parisi 2024, Los Anxhelos 2028 vijnë shumë shpejt, kështu që është koha që menjëherë prej tash të gjithë së bashku qoftë nga niveli qeveritar, organizatat sportive, klubet, sportistët, trajnerët t’i bashkojmë forcat dhe të fillojmë përgatitjet për këto olimpiada”, tha ajo.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se Kosova në Tokio ka qenë temë e diskutimit për shkak të medaljeve të arta.

“Kosova në Tokio ka qenë vërtet temë e diskutimit nga gjithë bota dhe në Tokio Kosovës iu shtua një emër, Kosova e artë. Kemi pasur urime të shumta nga shtete të ndryshme siç është Amerika e shumë shtete të tjera të mëdha evropiane dhe botërore. Vërtet jemi ndje krenarë…Shumë shpejt edhe Parisi vjen, edhe Los Anxhelos vjen. Falënderojmë Majlinda Kelmendin, e cila ka hapur derën për të gjithë sportistët e Kosovës dhe ka treguar që vërtet nëse punojmë mund ta arrijmë qëllimin. Ajo e hapi derën, atë derë e kemi edhe më të hapur tash me dy medaljet e radhës dhe ne do të vazhdojmë të punojmë që të kemi edhe më shumë medalje dhe me shumë rezultate”, u shpreh ai.

Kampionet olimpike pas pak do t’i drejtohen qytetarëve nga sheshi kryesor i Prishtinës, ku numër i madh i qytetarëve kanë dalë për t’i pritur.

Lojërat Olimpike Verore mbahen në Tokio të Japonisë, prej 23 korrik – 8 gusht 2021. Ato ishin paraparë të mbahen në verë 2020, por shkaku i pandemisë COVID-19 u shtynë për 2021. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vendosi që përkundër shtyrjes për një vit, Lojërat Olimpike të vazhdojnë të quhen “Tokio 2020”.

Kosova në Lojërat Olimpike Tokio 2020 mori pjesë me 11 sportistë të gjashtë sporteve të ndryshme: xhudo, mundje, not, atletikë, boks dhe shenjëtari sportive.

Për Ekipin Olimpik të Kosovës këto janë lojërat e dytë verore, pas debutimit në Lojërat Olimpike Rio 2016, ku Kosova mori pjesë me tetë sportistë, prej të cilëve dy me normë olimpike. Debutimi u kurorëzua me medaljen e artë të xhudistes Majlinda Kelmendi.

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.