Për herë të parë është funksionalizuar edhe kamera në procesin e votimit pro ose kundër shkarkimit të kryetarit të komunës, Izmir Zeqiri.
Vendosja e kamerave gjatë votimit është vlerësuar se do të mënjanojë mundësinë e manipulimeve, derisa në KQZ kanë thënë se do të ruhet fshehtësia e votës.
Në Zubin Potok qendrat e votimit janë të vendosura në objektin e komunës, objektin publik Mala Jabuka (Molla e vogël), Tek Ura e Bubës, Bërnjak dhe në shkollën fillore “Osman Rama” në Çabër. Në Leposaviq mund të votohet në objektin komunal, objektin komunal në Soqanicë, objektin privat në Rëvatskë, objektin shtetëror në Dren, objektin e Ndërmarrjes Shoqërore Univerzal në Leshak, Koshtovë, objektin privat afër stacionit të autobusëve në Leposaviq dhe në shkollën fillore “Kadri Bistrica” në Bistricë.
Ndërsa në Zveçan do të votohet në objektin komunal, SHFMU “Isa Boletini” në Zhazhë, SHFMU “Isa Boletini” në Lipë, Rasja Banja në Banjskë dhe në objektin komunal në Zhitkovc. Votimi organizohet në bazë të udhëzimit administrativ nga Qeveria e Kosovës, pas presionit të ndërkombëtareve për shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri.
Ndërkohë Lista Serbe kërkoi zgjedhje të reja, mbështeti peticionin e qytetarëve për shkarkimin e kryetarëve, por më 7 prill njoftoi se nuk do të merr pjesë në votim, duke përmendur si arsye listën e vjetruar të votuesve. Sipas udhëzimeve të publikuara, qytetarët mund të përgjigjen me “po” ose “jo” në pyetjen se a pajtohen që kryetari i njërës prej katër komunave në veri të shkarkohet. KQZ ende nuk ka publikuar orën e publikimit të rezultateve preliminare për fatin e kryetarëve në veri, ndërkohë që gjatë ditës do të mbajë katër konferenca për media për të informuar mbi mbarëvajtjen e procesit të votimit.