Kallëzimi penal, reagon Nagavci: I pritshëm, por do të hidhet poshtë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Deputetë nga partitë opozitare kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci. Padia është bërë nga anëtarët e Komisionit hetimor për tekstet shkollore, të cilët konsiderojnë se ministria ka bërë shkelje ligjore në procesin e subvencionimit të teksteve.
Për këtë rast ka reaguar vetë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila pretendeon se janë pikërisht interesat e partive që e dërguan kallëzimin penal në Prokurori, ato që janë prekur.
“PDK-LDK-AAK, të bashkuar si gjithnjë, sot paskan dorëzuar kallëzim penal ndaj meje për subvencionimin e nxënësve për tekste dhe materiale shkollore. Shumë e pritshme nga këto subjekte, kur e dimë mirëfilli se cilat grupe interesi kemi prekur. Reagimet nisën që atë ditë kur shkëputëm praktikën 20-vjeçare të blerjeve milionëshe të teksteve shkollore me kontrata njëburimore, të mbushura me hallka dhe mundësi abuzimi. Krijuam një proces transparent të subvencionimit të drejtpërdrejtë, ku çdo formë dhe mundësi abuzimi u eliminua... Megjithatë, pa përfunduar punën aty dhe pa miratuar Raportin e Komisionit Hetimor, i janë drejtuar Prokurorisë Speciale me kallëzim penal. Ky kallëzim penal do të hidhet poshtë, ashtu si edhe i kaluari që u hodh poshtë javën e kaluar”, thuhet në reagimin e minintres Nagavci në Facebook.
Kryetari i komisionit hetimor, Shemsedin Dreshaj ka thënë se raporti i komisionit ka bazë për hetim të mëtejshëm nga Prokuroria Speciale “lidhur me përgjegjësinë e individëve që janë marrë me këtë proces”.
https://kosovapress.com/opozita-dorezon-kallezim-penal-ndaj-ministres-nagavci