Kallëzime penale për kryetarët e Tetovës dhe Çairit për pritjen e Albin Kurtit
Rajoni
Lexohet për: 3 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, ka ngritur të martën kallëzime penale kundër kryetarëve të Tetovës dhe Çairit, për, siç ka thënë, “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 11 gusht.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami dhe ai i Çairit, Visar Ganiu, janë marrë në pyetje të martën nga Policia maqedonase, e cila e ka bërë të ditur vendimin për kallëzimet penale, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Gjatë vizitës zyrtare të delegacionit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar më 11.08.2023, në rrugën 'Ferid Murati' në Shkup dhe në sheshin e qytetit në Tetovë, nuk është vepruar në përputhje me Ligjin për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë manifestimeve të organizuara me atë rast nuk është kënduar himni shtetëror dhe nuk është vendosur flamuri shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka është bërë shkelje nga neni 30 i të njëjtit ligj”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup.

Në komunikatën me shkrim është thënë se “Policia do t'i vazhdojë kërkimet për personin që në një nga manifestimet valëviti flamurin e të ashtuquajturës ‘Shqipëria e Madhe’”.

Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore, neni 30, parasheh dënime prej 1.000 deri në 5.000 euro në rast se personi publik bën shkeljen e dispozitave, respektivisht nëse nuk përdor këto simbole në manifestimet e përcaktuara me dispozitat tjera ligjore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar në këto dy komuna të banuara me popullatë shqiptare, me ftesë të kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, dhe atij të Tetovës, Bilall Kasami.

Kurti ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit, Adem Demaçi, në Çair, ndërsa në Tetovë ka marrë pjesë në përurimin e një rruge në Malësinë e Tetovës.

Gjatë kësaj vizite Kurti dhe kreu i Tetovës kanë folur për nevojën e hapjes së një tuneli me gjatësi prej rreth 6 kilometrash, që do ta lidhte Tetovën me Prizrenin.

Qëndrimi i kryeministrit Kurti në Tetovë dhe Çair, respektivisht përdorimi i ikonografisë shqiptare gjatë manifestimeve të organizuara, ka shkaktuar reagime të shumta, përfshirë edhe nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski i cili ka kërkuar sanksione për organizatorët e kësaj vizite.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024