Kaçaniku, alla Paris

Kaçaniku, alla Paris

Nga Dijana Toska

Me shkas nga një përvjetor historik të shënuar në Kaçanik ku u vendosën themelet e Shtetit të Kosovës!

 7 shtator 1990

Pjesë nga libri  “ Maqedonia në gazetarinë time“

                       DEPUTETËT E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Maqedoni, 1992-1994

                             Kaçaniku, alla Paris

Një ndër delegatët e parë, që kisha takuar në Shkup, ishte Maliqe Bajogu. Po kërkonte banesë me qira. Duhej të gjenim diçka të përshtatshme, por edhe me çmim sa më të lirë, në mënyrë që të mund ta mbulonte me ndihmat minimale, që po i merrte nga Qeveria në ekzil e Republikës së Kosovës. U shoqëruam familjarisht. Ishte e këndshme. Prindërit e mi e donin shumë.

Babai im kishte arritur të njihej, thuajse, me të gjithë delegatët e ardhur. I dinte edhe vendet, ku ata e plaknin ditën. I vizitonte, i ftonte në zyrën e tij, përpiqej t’u dilte në ndihmë në shenjë respekti për punën që kishin bërë, si dhe për sakrificën, që po e përjetonin, duke jetuar jashtë Kosovës. Adresa Kosovë, për babanë tim mjafton për t’u aktivizuar tërë qenia e tij. Këtë e dinë të gjithë ata që e njohin. Por, si dukej, më shumë i hahej muhabeti, siç thonë prespanët, me Muharem Shabanin nga Vushtrria. Megjithatë, në zemër kishte katundarin e tij, Iljaz Ramajlin dhe respektin që kishte për bashkëshorten e tij të mirë dhe të bukur – Selveten. Vizitat e tyre e gëzonin dhe përmbushja ishte maksimale, sepse bisedat bëheshin ekskluzivisht për Kosovën, me të gjitha të mirat e të këqijat e saj. Ndërsa, o Zot, me çfarë emocioni pasionant përshkruanin Kaçanikun: bukuritë, jetën, pastaj shkonin deri te gurët e Lepencit. Dikush do të mendonte se po flisnin për ndonjë qytet alla Paris a, pak më shumë.

Çka mund të pres e të dëgjoj njeriu në një takim të të dy njerëzve me prejardhje nga i njëjti vend dhe me fat, thuajse, të njëjtë, por që i takojnë dy brezave të ndryshëm, të detyruar të shpërngulen nga vendlindja e vet, njëri gjatë viteve të pesëdhjeta nga regjimi rankoviçian, tjetri gjatë viteve të nëntëdhjeta nga regjimi millosheviçian. Dy burra shqiptarë, që asnjë gurë të Kaçanikut të tyre legjendar, nuk kishin për ta dhënë, dy luftëtarë, që kontribuuan dhe sakrifikuan, secili në mënyrën e vet, për ta parë e shijuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Me Iljazin takoheshim shpesh. Ishte i informuar në detaje për situatën politike dhe, në analizat e tij, si gjithnjë, ishte i pagabueshëm. Banonte në një banesë të vogël me kushte minimale dhe shfrytëzonte një veturë familjare, që kishe frikë në çdo çast se do ta linte në rrugë. Ishte modest në çdo pikëpamje, por, ama, ishte dhe i kujdesshëm, që me asnjë veprim apo prononcim, të mos irritonte, eventualisht, dikë, sidomos pushtetarët e Maqedonisë, me dijen dhe pajtimin e të cilëve po qëndronin delegatët e Republikës së Kosovës aty.

VOA, RILINDJA, BUJKU

Iljaz Ramajli: Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës

Kemi vendosur të rezistojmë deri në fitore

Shkup, 7 shtator 1994

Intervista e parë e Iljaz Ramajlit, 4 vite pas shpalljes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës

Iljaz Ramajli: Në bazë të nenit 397 dhe 398 të Kushtetutës së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 7 shtator 1990, merr këtë vendim: TË SHPALLET KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Kështu, më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës shpallën në Kaçanik Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në katërvjetorin e kësaj ngjarjeje dhe rreth gjendjes aktuale në Kosovë, korrespodentja e Zërit të Amerikës nga Shkupi, Dijana Toska, intervistoi kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Iljaz Ramajli.

D.T.:  Zoti Iljaz, cili ishte shkaku kryesor që ndërmorët një vendim të këtillë para katër vjetësh?

– Kjo ishte një rrjedhë normale e punës së Kuvendit pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik të po atij viti. Rreth dhënies së formës kushtetuese-juridike të vullnetit politik të shumicës së qytetarëve të Kosovës, që të jenë të barabartë me të gjitha njësitë Federale në ish-Jugosllavi. Mund të thuhet se këto dy akte ishin akte mbrojtëse, të ndërmarra në një kohë kur Serbia provonte shuarjen e tërësishme të Autonomisë së Kosovës dhe, kur në tërë Jugosllavinë e atëhershme vëreheshin tendenca dezintegruese.

D. T.: Forma e rezistencës, të cilën e ka zgjedhur populli shqiptar në Kosovë, a garanton arritjen e qëllimeve të fundit të proklamuara publikisht?

– Asnjë formë e rezistencës ndaj okupatorit, as kjo që zgjodhëm ne, apriori nuk garanton arritjen e qëllimit të fundit. Forma e rezistencës, të cilën e aplikojnë shqiptarët në Kosovë, nuk është një përcaktim i tyre i lirë, por i imponuar nga pozita, nga kushtet dhe nga rrethanat, me të cilat ballafaqoheshin shqiptarët, si popull në ish-Jugosllavi. Shpeshherë harrohet se Kosova, që nga viti 1981,veçanërisht nga viti 1989, ishte nën gjendje të jashtëzakonshme, me prezencë të paparë deri atëherë të forcave policore-ushtarake nga gjithë Jugosllavia. Shqiptarët nuk kishin parakushte institucionale, organizative e teknike, që kishin popujt e tjerë në ish-Jugosllavi, në mënyrë që të përcaktoheshin për formë tjetër të rezistencës. Shikuar nga ky kënd, zgjedhja ishte e drejtë dhe, mund të thuhet, se ishte një politikë e mençur dhe largpamëse. Çështje tjetër është se a po i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë, që i ofron ky lloj i rezistencës, që maksimalisht t’ia vështirësojmë Serbisë vënien e kontrollit policor e ushtarak në Kosovë. Unë mendoj se së shpejti do të jemi të detyruar të ndërmarrim edhe veprime të tjera, gjithnjë në suaza të këtij lloji të rezistencës, nëse dëshirojmë të arrihet qëllimi ynë i fundit për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur.

GJENDJA AS LUFTË, AS PAQE, I KONVENON SERBISË

D. T. : Si e shihni ardhmërinë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës?

– Problemi i Kosovës nuk do të hapet në kuptimin e plotë derisa definitivisht të mos mbyllet qarku i problemit boshnjak. Derisa të vijë kjo kohë, si duket, gjendja e tanishme as luftë, e as paqe, i konvenon edhe Serbisë, por edhe subjektit ndërkombëtar. Dezintegrimin e ish-Jugosllavisë e filloi politika serbe. Sot, mund të thuhet se interesat serbe, të proklamuara për formimin e Serbisë së Madhe, ku do të jetonin vetëm serbët pa popujt e tjerë, u realizuan plotësisht në veri. Nëse serbët u futën në luftë dhe u konfrontuan me të gjithë në mënyrë që të realizojnë ëndrrën e tyre për Serbinë e Madhe, nuk shoh asnjë arsye, që çon në përfundim se do të binden ata, që në shtetin e tyre të mbetet populli shqiptar, i cili e përbën shumicën e popullatës së Kosovës. Meqë, situata në jug, konkretisht në Kosovë, për serbët nuk është identike me atë si në veri, për shkak të përbërjes së popullatës së Kosovës, të opinionit të krijuar ndërkombëtar, si dhe për shkak se një konflikt, i ngjashëm si ai në Kroaci dhe në Bosnjë, nuk do të mbetej i lokalizuar, por do ta përfshinte tërë Ballkanin. Gjithnjë e më tepër më thellohet bindja se serbët, përsa i përket Kosovës, përditë e më shumë do të orientohen nga opsioni, të cilin për herë të parë në opinion e lansoi Qosiq dhe, i cili preferon ndarjen e Kosovës në mes serbëve e shqiptarëve. Tani për tani estabilishmenti politik e shtetëror i Serbisë, nuk e përmend këtë si zgjidhje të mundshme për Kosovën, por janë shtuar dhe janë të zëshëm përkrahësit e kësaj ideje në radhët e intelektualëve, kinse të pavarur, në Serbi, por të cilët gjithmonë kanë qenë zëdhënës të asaj që do të ndodhë në hapësirat e ish- Jugosllavisë dhe që, më vonë, është identifikuar me interesin nacional serb. Mendoj se ky do të ishte kahu më i padëshirueshëm dhe më tragjik i rrjedhës së ngjarjeve për ne shqiptarët e Kosovës dhe për shqiptarët në përgjithësi dhe se duhet të kemi kujdes, që t’i refuzojmë me të gjitha mjetet.

Duhet përkrahur politikën e matur të Berishës

D. T.: Çfarë mendoni ju, a ka këtu lidhje mes politikës serbe dhe greke në këtë kontekst me Kosovën dhe me këtë që thatë më sipër?

– Gjithnjë e më tepër më thellohet dyshimi se edhe subjekti ndërkombëtar, veçanërisht në disa vende mike tradicionale të Serbisë, në momentin e caktuar mund të marrin një gjë të tillë, si akt të kryer dhe në mënyrë të heshtur, ta lejojnë këtë operacion, të bindur se me këtë përgjithmonë do të zgjidhet problem i Kosovës dhe se do të krijohet stabiliteti në Ballkan. Në relacion me këtë opsion, unë shoh konfliktin aktual mes Shqipërisë e Greqisë, i cili, përveç pretendimeve të hapëta territoriale të Greqisë ndaj Shqipërisë, ka për qëllim destabilizimin dhe rrëzimin nga pushteti të presidentit Berisha dhe të Qeverisë së z. Meksi, për të cilët dihet se cilin qëndrim kanë për Kosovën. Andaj, përkrahja që po i jepet dhe duhet t’i jepet politikës së matur dhe parimore të presidentit Berisha dhe të Qeverisë Meksi, në raport me marrëdhëniet aktuale me Greqinë, jo vetëm që është kontribut për ruajtjen e integritetit territorial dhe të rrjedhave demokratike në Shqipëri, por edhe siguri dhe angazhim për ruajtjen e interesave të shqiptarëve kudo që jetojnë, veçanërisht në Kosovë.

AMANETI  –  NJOFTO OPINIONIN

23 dhjetor 1994

     Shkup

Ishte ora 10 kur më telefonoi Iljazi dhe më thotë:

– A po pimë kafe sot në vendin tonë të zakonshëm në qendrën tregtare?

– Po! – i them – me kënaqësi.

Erdhi pas gjysmë ore. Më mori dhe u nisëm drejt destinimit. Por, pse ndërruam mendje? U habitëm me bisedë, apo gabuam drejtimin, nuk e di! Por atë ditë ne u akomoduam në një vend tjetër.

Po vëreja një shqetësim në shikimin e tij, por nuk e dija se ç’ishte në pyetje! Pas një kohe filloi të më tregoj sikletin e tij:

– Më duket se këta të sigurimit shtetëror kanë filluar këto ditë të fundit t’i përcjellin me intensitet të shtuar lëvizjet tona, edhe pse nuk iu kemi dhënë asnjë arsye. Jemi duke qëndruar larg çdo aktiviteti politik. Por, si duket, janë të mllefosur me hapjen e Universitetit të Tetovës, pastaj, po dyshoj se këto ditë, në kufirin me Shqipërinë, i janë gjetur Enver Hasanit disa mijëra marka në xhep e… mund të na hakmerren. Të lutem, nëse ndodhë diçka, njofto opinionin. Dhe, po merremi vesh. Këto ditë çdo mëngjes thirrëm me telefon, duke filluar që nga nesër. Nëse nuk paraqitem, dije atëherë se na kanë arrestuar.

Çdo tentim, për ta qetësuar, më dukej formal, por e bëra sa për ta bërë. I premtova se amanetin do ta kryeja me çdo kusht. 

24 dhjetor

Ora 9. I telefonoj Iljazit. Telefoni po cingëronte një herë, dy herë…


Ora 10. Telefoni po cingëronte pa ndërprerë, por Iljazi nuk lajmërohej.

Tmerr. Çka të bëja? Ku ta vërtetoja lajmin. Shkova në zyrën e avokatit, Numan Limani. E luta që të bënte përpjekje të siguronte informacion se a ishin në polici apo i kishin deportuar tanimë. Shkova në banesën e njërit deputet, por nuk ishte askush. Asnjë shenjë në derë nuk vërehej. Ky fakt më dëshmoi se i kishin arrestuar të gjithë, pa pardon. Zor nuk e kishin pasur aspak, sepse adresat e banimit i kishin deponuar të gjithë te Aleksa Donevi, kontakt-personi, i caktuar nga autoritetet maqedonase.

Shkova në Parlament, shkova në qeveri, shkova në polici në Bit Pazar. Askush nuk po dinte apo nuk po donte të jepte asnjë detaj. Shkova në “Fufo”. Restoranti ishte plotë, por Ramushi nuk ishte aty. Ku dreqin ishte ky tani që nuk po mund ta gjej askund  mu në ditën kur po më duhej më së shumti?

Ora 16. Po kthehem në shtëpi. Nëna po më tregonte se kush më kishte kërkuar, ndërkohë që më luste të përpiqesha të futja në gojë diçka.

Po i tregoja Elezit trishtimin, që po e përjetoja dhe, kërkoja nga ai që të presim deri në momentin e fundit për të parë se si do të zhvillohet ngjarja.

Thirra Fehmi Aganin. Kur dëgjoi, u step. “Shumë keq qenka ba! Të lutem, Dijana, në çdo kohë thirrëm! Mos më kurse, sepse dua ta di çka po ndodh me fatin e njerëzve tanë atje”. 

Pushteti Maqedonas arreston kosovarët e strehuar

Shkup, 24 dhjetor 1994

Ora 18. VOA – ekskluzive

Policia e Maqedonisë ka arrestuar kryetarin e Kuvendit, Iljaz Ramajlin dhe një numër delegatësh të legjislaturës së mëparshme të Kuvendit të Kosovës, të cilët, pas shpalljes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator 1990 në Kaçanik, u detyruan të largohen nga Kosova dhe, përkohësisht, u vendosën në Maqedoni. Në mesin e të arrestuarve janë edhe korrespodentët e “Rilindjes” në Shkup, Ramush Tahiri e Bedri Sadiku, si dhe disa intelektualë të tjerë shqiptarë nga Kosova. Sot, në orët e hershme të mëngjesit, para se të arrestoheshin deputetët, janë bastisur banesat e tyre. Numri i saktë i të arrestuarve nuk dihet, por dyshohet se janë mbi njëzet deputetë, disa edhe me familje, në mesin e tyre, madje, edhe fëmijë. Ka njoftime se një numër i të arrestuarve janë deportuar në Kosovë, përkatësisht, u janë dorëzuar në pranga organeve serbe.

Organet zyrtare të Maqedonisë nuk kanë dhënë kurrfarë njoftimi lidhur me këto arrestime. Familjet e të arrestuarve dhe opinioni shqiptar në Kosovë e në Maqedoni janë të shqetësuar për fatin e tyre. Para pak minutash, burime të sigurta, më njoftuan se policia maqedonase ia ka dorëzuar policisë serbe në Ferizaj 6 deputetë të Parlamentit të Kosovës: Shaban Hashanin, Ali Shahinin, Muhamet Shabanin, Basri Bajramin, Refik Rakajn e Naser Sadikun.

Lajmi i dëgjuar për herë të parë përmes valëve të Zërit të Amerikës për arrestimin e Iljazit, që personifikohej me shpalljen e Republikës së Kosovës, kishte tronditur mbarë opinionin shqiptar.

Do të më lajmërohen menjëherë në telefon nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës, do të lajmërohen familjarë e të njohur të delegatëve, politikanë e kolegë. Do të lajmërohen 72 orë pandërprerë, saqë edhe postës së Maqedonisë i kishte dalë punë duke njoftuar të interesuarit se numrin që po e thërrisnin nuk është i prishur, por i zënë.

Të dhembshme ishin bisedat me Rabijen, motrën e Iljazit. Trishtimi i saj se mos vëllau po binte në dorë të policisë serbe, kishte çuar tërë familjen time në këmbë. Po bëheshin përpjekje maksimale, duke përdorur e shfrytëzuar të gjitha mjetet për t’u gjetur zgjidhja më pak e dhembshme.

Rugova i shkruan Gligorovit

25 dhjetor

Në letrën e presidentit Rugova, dërguar presidentit të Maqedonisë, Gligorov, thuhet se “Lajmi për arrestimin e një numri të anëtarëve të legjislaturës së mëparshme të Kuvendit të Kosovës dhe të dy gazetarëve, e morëm me shqetësim. Qeveria Juaj ka qenë në dijeni se këta deputetë kanë qenë të detyruar ta braktisin Kosovën dhe të vendosen përkohësisht jashtë Kosove, duke përfshirë edhe Maqedoninë, pas suprimimit me dhunë të Kuvendit të Kosovës.

Kërkoj nga Ju, zoti president, që të ndërmerrni veprimet e nevojshme për lirimin sa më të shpejtë të të arrestuarve dhe lejimin e mëtejmë të qëndrimit të tyre në Maqedoni. Lirimi i tyre do të ishte një provë se Qeveria Juaj është për bashkëpunim dhe se ndjekë një politikë të fqinjësisë së mirë me Kosovën dhe me popullin shqiptar”, thuhet në letrën e presidentit Rugova.

Reagoi edhe Qeveria e Republikës së Kosovës: “Këto veprime të Shkupit koincidojnë në kohë me shkallëzimin e veprimeve të Beogradit ndaj popullit të Kosovës. Shkupi, në mënyrë flagrante e të vazhdueshme, shkelë parimet dhe standardet e KSBE-së. Shkupi duhet të evitojë një keqësim të skajshëm të marrëdhënieve ndëretnike, që do të kishte pasoja të mëdha për gjithë rajonin, e në radhë të pare, për vetë Maqedoninë, ku populli shqiptar ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol me rëndësi vendimtare për stabilitetin dhe sigurinë e këtij vendi. Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje Qeverisë së Maqedonisë që të rishqyrtojë urgjentisht qëndrimet e saj, të ndërpresë keqtrajtimet e shqiptarëve dhe të masave represive e ndaluese ndaj tyre”, thuhet në deklaratën e kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi.

26 dhjetor

Pas mbajtjes mbi 48 orë në  biseda informative, policia sot liroi nga arresti  korrespodentët e “Rilindjes”, Ramush Tahiri dhe Bedri Sadiku.

Pas mbajtjes në organet e policisë sekrete të ushtrisë maqedonase në Kumanovë, u lirua Ramush Tahiri. “Jam marrë në pyetje për shumë gjëra, që fare nuk kanë të bëjnë me politikën dhe interesin shtetëror të Maqedonisë”, thotë Tahiri.

Ndërkaq, Bedri Sadikun, policia maqedonase ia dorëzoi policisë serbe të Preshevës bashkë me masën se i ndalohet hyrja për 5 vitet e ardhshme në Maqedoni.

Në mbrëmje vonë, u takova me Ramushin në një kafiteri në periferi të Shkupit. Biseda ishte e rëndë, situata dhe ndarja edhe më të rënda. Ai të nesërmen duhej të largohej nga Maqedonia për në Shqipëri.

Në fund, porosia e kolegut për kolegen:

– Kujdes Dijana, je në radhë!

27 dhjetor

Pas 72 orë arresti, lirohet dhe deportohet në Shqipëri Ilaz Ramajli

Ishte pasdite. Më telefonoi Halit Muharemi, ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës. “Oj Dijanë, urime e faleminderit shumë! Posa u takuam me Iljazin këndej kufirit, mirë u ba… e, mirë qenka! Të lutem njoftoje familjen e tij dhe gjithë të tjerët se gjithçka, tani për tani, është në rregull”.

Lot gëzimi, motra e Iljazit, Rabija, nuk po mund të flasë nga rënkimi. Profesor Agani thotë se “lajm më të gëzueshëm moti nuk kam ndi”. E lajmëroj edhe Elezin. Gëzohet pa masë.

VOA – ekskluzive

Veprimet e regjimit maqedonas dhe të atij serb kundër deputetëve të Republikës së Kosovës ishin në bashkëpunim të plotë. U morëm në pyetje nga sigurimi shtetëror maqedonas dhe nga punëtorët e sigurimit serb, prandaj veprimet e autoriteteve të Shkupit ishin ndërmarrë në bashkëpunim me regjimin serb edhe përkundër faktit që dihej se delegatët kosovarë ndiqeshin për shkak të bindjeve të tyre politike. “Se vendosja jonë ishte legale, dëshmon edhe fakti se autoritetet e Maqedonisë i kishin adresat tona të banimit”, thotë nga Tirana Iljaz Ramajli.

Policia maqedonase sot pranoi se deportoi delegatët shqiptarë. Nënsekretari i policisë maqedonase, Dime Gjurev, i ngarkuar për çështje të sigurisë publike, për medie deklaroi:  “Kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme. Është një punë e drejtorisë policore të qytetit dhe shërbimit të saj për paraqitjen e personave të huaj”. Gjurev tha se “në Maqedoni jeton një pjesë e shqiptarëve nga Kosova, të cilët nuk e kanë rregulluar statusin e tyre dhe se vetëm brenda këtij viti në Kosovë janë deportuar mbi 650 shqiptarë”.

Iljazi porositë: ke kujdes!

29 dhjetor

Tiranë-Shkup

Të nesërmen Iljazi ma bëri me dije se duhet të kem shumë kujdes, ndërkohë më tregoi se ku mund ta gjeja çelësin e banesës së tij, që t’ia dërgoja në Tiranë edhe ato pak rroba e gjësende të tjera, që i kishin ngelur në banesën e tij në Shkup. Shkuam në mbrëmje me motrën time, Ajshen, të cilën e luta të qëndronte në veturë, të cilën e parkuam në anën e kundërt të banesës. Tek po e hapja derën, vërejta se duart po më dridheshin. Brenda nuk ishte rrëmujë e madhe. Por, kureshtja prej gazetareje për të memorizuar tërë ambientin, paketimi i gjërave, që duhej t’i dërgoja, dilemat se mos, vallë, Iljazi do të ketë nevojë edhe për këtë apo atë, më kishin habitur dhe humbur sensin e kohës, ndërkohë që trokitja në derë më shqetësoi. Kisha frikë ta hapë. Në kokë më sillej dilema se kush mund të ishte. Dikush sërish po i bie derës dhe, më pas, po dëgjoj zërin e ndrojtur të motrës duke më thirrur: “Dijanaaa!”. E hapa derën. Nga pamja, që reflektonte, nuk e di se cila ishim frikësuar më shumë: ajo, që e kishte menduar më të keqen, duke pritur mbi gjysmë ore, apo unë që po e bëja rolin e “hajneshës”.

Më ndihmoi shumë, duke e kamufluar dokumentacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

30 dhjetor

Në orën 10 niset autobusi për në Tiranë me gjithë plaçkat e Iljazit.

Lexo edhe

Video

error: