Jo ndarje, asociacion, ekstraterritorialitet-jo shamija, jo përçarje dhe pikë

Jo ndarje, asociacion, ekstraterritorialitet-jo shamija,  jo përçarje dhe pikë

Nuk ka dialog të suksesshëm pa pjesëmarrjen direkte të Amerikës

         Në këto momente vendimtare për Kosovën dhe ekzistencën e kombit shqiptar, është e panevojshme që liderët e Kosovës të merren me shamija dhe mbulesa të vajzave 16 vjeçare. Toleranca fetare e shumicës së popullit shqiptar duhet të kultivohet dhe të pasurohet. Ekstremizmat fetar nga të gjitha anët duhet të luftohen në çdo kohë dhe çdo nivel. Kjo duhet të bëhet me qetësi dhe me kujdes, pa shkaktuar përçarje dhe pa i dëmtuar interesat kombëtare.

         Kjo është detyrë edhe e të gjithë klerikëve që e duan kombin, nëse ata vërtetë punojnë me besim te Zoti dhe ju përmbahen porosive pozitive të librave të shenjta. Një gjë duhet ta kuptojnë të gjithë. Kombi dhe familja janë mbi të gjitha. Feja është çështje personale dhe nuk bën të përzihet kurrësesi në shtet, shkolla publike dhe institucione tjera jofetare.

         Dialogu është mënyra më e mirë dhe faza e fundit e zgjidhjes së çdo konflikti. Për të patur sukses duhet të udhëhiqet nga mediatorë të paanshëm dhe që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive, pavarësisht interesave të ndryshme.

         Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, që nga shpallja e pavarësisë, janë shembull i një dialogu të mbrapsht, të padrejtë, joparimor dhe me standarde të dyfishta nga ana e Evropës. Pa pjesëmarrjen direkte të Amerikës, i udhëhequr nga ndërmjetës pro-serb, ishte kryekëput në funksion të rehabilitimit dhe plotësimit të kërkesave ekspansioniste serbe. Kosova nuk fitoi asgjë. Dështim komplet dhe humbje kohe.

         Serbia po vepron në mënyrë destruktive dhe agresive, hapur dhe pa kurrëfarë ngurrimi. Me rrena dhe propagandë mashtruese vazhdon ta luaj rolin e viktimës. Me huliganët e infiltruar në pakicën serbe në veri të Kosovës, ngre barikada, bllokon rrugë, sulmon civilët shqiptar dhe organet zyrtare të rendit. Armatoset nga Rusia, ndërton baza ushtarake rreth kufirit të Kosovës dhe kërcënon me luftë. Në Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) dhe Sanxhak i shtypë të drejtat nacionale dhe njerëzore të shqiptarve duke e realizuar pastrimin “e qetë” etnik.

         Qeverisja e Republikës së Kosovës, e dalur nga zgjedhjet e fundit po përpiqet të punojë drejt dhe në mënyrë konstruktive për ta zgjidhur problemin me Serbinë dhe për ta ruajtur paqen. Ajo është zgjedhur nga populli i Kosovës për t’i mbrojtur interesat e Kosovës dhe të askujt tjetër. Duhet të qëndrojë dhe të mos ju nënshtrohet presioneve joparimore nga të gjitha anët. Politika e dështuar e nënshtrimit dhe lëshimeve ndaj kërkesave serbomadhe është e papranueshme. “Përkrahja” ndërkombëtare për shkatërrimin e shtetit të Kosovës nuk i duhet gjë askujt.

          Thjesht dhe qartë. Nuk ka ndryshim të kufijve dhe ndarje të Kosovës. Nuk mund të shpërblehet agresori serb me tokë shqiptare. Boll na ka plaçkitë dhe na ka vra. Ekstraterritorialiteti i manastireve ortodokse të Kosovës nuk bën lejohet. Nuk mund të bëhen Asociacione të pastërta etnike në një shtet multi-etnik. Ato janë kundërkushtetuese, kundër vlerave demokratike, kundër interesave afatëgjatë shqiptare, evropiane dhe amerikane. Ato janë formulë për vazhdim të konfliktit pafund. Po të pranohej Asociacioni i komunave serbe, Kosova nuk do të ekzistonte më si shtet.

          Kjo do të ishte shkelje e rëndë mbi rezistencën shekullore të popullit shqiptar ndaj pushtimit serb, mbi luftën heroike të UÇK-së, shkelje mbi gjakun e heronjëve dhe martirëve të lirisë, mbi gjakun e civilëve të keqtrajtuar, torturuar dhe masakruar nga kriminelët serb. Do të ishte edhe dështim i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë për të ndaluar gjenocidin serb mbi shqiptarët, dështim i investimit amerikan në Kosovë.

         Serbia dhe Perëndimi duhet ta kuptojnë se të gjitha kompromiset dhe lëshimet e Kosovës kanë përfunduar. Ata politikanë, diplomat dhe mendimtarë brënda ose jashtë Kosovës, që trumbetojnë se Serbisë duhet dhënë tokë për ta siguruar njohjen dhe ti falen krimet, janë budallenjtë më të mëdhenj të shekullit. Apetitet grabitçare të Serbisë nuk shuhen kurrë. Me te mund dhe duhet të bisedohet vetëm për njohje të dyanëshme dhe çështje ndërshtetërore, asgjë tjetër. Pikë.

         Marrëveshjet e dëmëshme të nënshkruara nga qeverisjet e kaluara të shantazhuara, nuk ka nevojë të pranohen as të implementohen. Asnjë shtet normal nuk e bën këtë. Ato duhet të çvlerësohen dhe zëvendësohen me marrëveshje të dobishme për të dyja palët në konflikt.

         Vendimi i Gjykatës së shantazhuar Kushtetuese të Kosovës pas lufte, i bazuar në vendimin e parlamentit të kriminelit serb Milosheviq gjatë okupimit, për dhënien e tokave me vlerë turistike manastirit të Deçanit duhet rishqyrtuar. Për të drejtat pronësore të këtij manastiri duhet biseduar me përfaqësuesit e tij, me ndërmjetësim ndërkombëtarë, pa prezencën e shtetit serb. Ndërkohë historianët tanë duhet të punojnë, hulumtojnë dhe vlerësojnë faktet dhe mundësitë që ky manastir dhe të tjerë si ky, të shpallen monumente kulturore shqiptare të përvehtësuara nga kisha  ortodokse hegjemoniste serbe.

         Reciprociteti në të gjitha fushat është formula e vetme për të arritur sukses dhe ulur Serbinë aty ku e meriton. Nuk ekziston asnjë arsye që pakica serbe në Kosovë të gëzojë më shumë të drejta se sa populli shqiptar që jeton në tokat e veta stërgjyshore të okupuara nga Serbia, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Asnjë!


         Njohja e shtetit të Kosovës është edhe në interes të Serbisë. Ajo do ta kuptojë këtë vetëm kur të shërohet nga sëmundja e urrejtjes, dëshirës për dominim dhe grabitjes së tokave të tjerëve. Me ledhatime dhe lëshime nuk shërohet, vetëm me presion të vërtetë ekonomik dhe diplomatik, si dhe në rast nevoje me përdorim të forcës. Diktatorët dhe kriminelët si Vuçiq dhe Putin e kuptojnë vetëm gjuhën e forcës. Është e sigurt se krimineli Putin do ta humbë luftën e padrejtë pushtuese kundër Ukrainës. Edhe Vuçiqi nëse guxon ta fillojë luftën, do ta humbë edhe luftën edhe Serbinë.

         Përpjekjet e Serbisë për shkatërrimin e Republikës së Kosovës, është duke i mbështetur me të madhe edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Pallavrat dhe mashtrimet e tij për maskaradën “open Ballkan” dhe të ish-ambasadorit Amerikan pro-serb Richard Grenell për kinse “mirëqënie ekonomike” me Serbinë, janë në shërbim të interesave serbo-ruse, kundër interesave të popullit shqiptar dhe popujve tjerë të Ballkanit, si dhe kundër interesave strategjike evropiano-amerikane.

         Këta dy individ të shpifur, po ndihmohen dhe nga karikaturat politike të Ballkanit, Dritan Abazoviq dhe Ali Ahmeti, një pjesë e madhe e opozitës së dështuar të Kosovës, si dhe nga shumë gazetarë analista të shitur dhe mediat e tyre të kontrolluara nga grupe interesi anti-shqiptare.

         Sidomos janë befasuese dhe dëshpëruese veprimet e opozitës së Kosovës, e cila është e koncentruar e tëra në kritika (sharje) të pozitës, vend e pavend, pa kurrëfarë logjike, vetëm me qëllim të rrëzimit të qeverisë Kurti, edhe kur ato veprime mund të iu shërbejnë interesave të armikut serb. Shihet se nuk kanë mësuar asgjë nga dështimet e mëparëshme që e sollën Kosovën para shkatërrimit.

         Duket se opozita nuk e ka të qartë se pushteti mund të merret vetëm duke ofruar zgjidhje konkrete dhe programe reale për të ardhmen, më të mira se sa i ofron pozita. Kritikat e tyra kohët e fundit janë bërë aq të ulëta saqë janë duke i larguar me të madhe votuesit e pavarur. Posaqërisht janë duke e irrituar mërgaten e mrekullueshme patriotike shqiptare në Amerikë dhe anë e kënd botës.

         Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti me bashkëpuntorët e tyre, pavarësisht nga vështirësitë e shumta, deri tashti, janë duke e udhëhequr me sinqeritet, atdhedashuri, aftësi, mençuri dhe kompetencë shtetin e Kosovës. Nuk janë pa gabime, por jo në çështjet madhore shtetërore dhe nacionale. Shihet se ata e kanë zgjedhur rrugën e vështirë të lavdisë kombëtare, jo rrugën e lehtë të përuljes ndaj të huajve dhe nënshtrimit ndaj Serbisë.

         Qeverisja e shtetit nuk është e lehtë, presionet për kompromise janë të shumta dhe mund të ndodhin gabime. Por është me rëndësi që të lëshohet pe në çështje të vogla, kurrsesi në ato me rëndësi strategjike shtetërore dhe kombëtare. Përkrahja popullore ka rëndësi vendimtare për ardhmërinë e çdo politikani. Mashtrohen ata që mendojnë se mund të fitojnë vota të mjaftueshme për pushtet me servilitet ndaj të huajve dhe forcave të errëta anti-kombëtare.     

         Bashkëpunimi i Kosovës me Evropën është i domosdoshëm. Aspiratat për hyrje në Evropë dhe në NATO janë qenësore për ardhmërinë e saj. Por, Evropa nuk ka drejtësi as mundësi për ta zgjidhë problemin e Kosovës me Serbinë. Këtë mund ta bëjë vetëm Amerika, vendi i lirisë, demokracisë, drejtësisë dhe ruajtjes së rendit botërorë. Ajo është drita dhe shpresa e Kosovës dhe e kombit shqiptar. Duhet insistuar që Amerika të merr pjesë në mënyrë aktive dhe direkte në proçesin e dialogut. Kjo është e vetmja mënyrë për të patur sukses dhe garanci në implementimin e marrëveshjes eventuale me shtetin racist serb.

          Koordinimi dhe bashkëveprimi me SHBA-të është me rëndësi ekzistenciale. Duhet kërkuar dhe gjetur forma të ndryshme të bashkëpunimit dhe krijimit të lidhjeve më të forta me Amerikën. Kjo nuk nënkupton servilitet dhe dëgjim të pakusht. Amerika nuk i do miqtë qyqana. I do dhe respekton ata që dijnë çka dojnë dhe si të punojnë. Ajo është e hapur dhe i konsideron me vëmendje faktet dhe argumentet serioze. Interesat tona strategjike përputhen me ato të Amerikës. Qëndrimet e ndryshme duhet të trajtohen me respekt, kujdes dhe diplomaci.

         Nëse shovinistët serb ia arrijnë të depërtojnë të ndonjë zyrtar i Administratës apo Kongresit amerikan, ekziston forma legale e veprimit për t’i kundështuar dhe neutralizuar. Shembull i ndritshëm i organizimit profesional shumë të suksesëshëm lobist në Washington është Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e udhëhequr nga legjendat e veprimit lobist Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi me 35 vjet punë në shërbim të kombit shqiptar. Joe Dioguardi ishte tmerri i Milosheviqit, e tha ai vetë gjatë gjykimit në Hagë. 

         Edhe me të gjitha vështirësitë aktuale, Republika e Kosovës është në pozitë shumë më të fortë se Serbia. E drejta është në anën tonë. Përkrahja e Amerikës është në rritje. Përkrahja e Rusisë për Serbinë është duke u dobësuar, që lidhet me rënjen e paevitueshme të saj pas agresionit në Ukrainë. Serbia e ka gati të pamundur shkëputjen nga Rusia. Evropa ka filluar të zgjohet nga gjumi shekullor dhe ta kuptojë rrezikun nga hegjemonizmi serbo-rus.

          Edhe pa njohjen e pavarësisë nga Serbia, me udhëheqje të mirë shtetërore dhe bashkëpunim gjithëkombëtar në të gjitha fushat, Kosova Dardane mund të bëhet shembull i demokracisë dhe shtetit ligjor në Gadishullin Ilirik. Fitorja është e jona dhe varet nga ne.

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane

Lexo edhe

Video